Kriza më e keqe humanitare në New York, emigrantë të shtrirë në rrugë

schedule08:13 - 2 Gusht, 2023

schedule 08:13 - 2 Gusht, 2023

Qindra azilkërkues po flenë jashtë hotelit Roosevelt të Manhatanit në Nju Jork për të dytën ditë radhazi. Siç raportojnë mediat lokale, qyteti i New York vazhdon të luftojë për të përballuar fluksin e azilkërkuesve dhe strehimi duket të jetë vetëm një nga shumë problemet.

Autoritet e përshkruajnë si “kriza më e keqe humanitare që Nju Jorku ka parë ndonjëherë”. Shërbimet në Roosevelt janë të përqendruara në vendosjen e fëmijëve dhe familjeve në dhoma, ndërsa shumë prej emigrantëve janë futur në autobusë dhe dërgohen në strehimoret në pjesën e sipërme të shtetit.

Një pronar biznesi në zonën pranë hotelit tha se situata ishte e papranueshme.

“Kjo është zemra e Nju Jorkut. JP Morgan është këtu. Nuk ka kuptim”, tha Dimitris Nakos, pronar i restorantit grek Ammos.

Ndërkohë, autoritetet e Nju Jorkut i kanë bërë thirrje presidentit Joe Biden për të ndihmuar duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe duke përshpejtuar autorizimin e punës për azilkërkuesit, shumë prej të cilëve janë të dëshpëruar për të punuar, por ligjërisht nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë.

/abcnews.al