Tirana do të pastrohet ndërsa mbetjet do të vijojnë të depozitohen në landfillin e Sharrës.
“Shërbimi që është ofruar deri tani këtu në Sharrë nuk do të ndërpritet as pas sekuestrimit nga SPAK të kompanisë që do të bënte djegien e mbetjeve në Tiranë. Ajo do të administrohet nga shteti. Bashkia e kryeqytetit sipas zyrtarëve të saj është klient i kësaj kompanie dhe të vijojë ti depozitojë mbetjet këtu”
Edhe kreu i bashkisë Erion Veliaj garantoi se qyteti do pastrohet siç eshët bërë deri më sot.
“Bashkia e Tiranës ndërkohë do të vazhdojë pa u ndalur punën për një Tiranë që sot është pasqyrë pastërtie edhe si rezultat i transformimit të Sharrës nga një kancer urban në një fushë sanitare me standardet e duhura mjedisore”, shkroi ai
Veliaj iu përgjigj edhe atyre që hedhin akuza mbi Bashkinë e Tiranës
“Koha punon për Tiranën dhe Shqipërinë Europiane, jo për kandilët e Non Gratave që do të shkojnë drejt shuarjes. Histeria e portaleve të baltës tregon vetëm që baltaxhinjtë e udhëhequr nga Non Gratat s’e kanë marr vesh akoma që jemi në epokë tjetër! Sekuestrimi dhe heqja nga duart e subjektit privat të impiantit të mbetjeve të Tiranës si rezultat i hetimeve të SPAK është mëse i mirëpritur në rrugën e zbardhjes se veprimtarisë së paligjshme të kujtdo që ka abuzuar në dëm të interesit publik”, shkroi Veliaj.
Paratë që pushteti vendor deri dje i paguante kompanisë private tashmë do t’i kalojnë pushtetit qendror në varësi të të cilit është dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, e cila cakton administratorin. Për të depozituar 1 ton mbetje në landfillin e Sharrës Bashkia e Tiranës paguan 29 euro, ndërkohë kryeqyteti gjeneron mesatarisht 700 tonë mbetje në ditë./ abcnews.al