BE-ja pezullon bashkëpunimin me Nigerin në fushën e sigurisë, pas puçit

schedule16:01 - 29 Korrik, 2023

schedule 16:01 - 29 Korrik, 2023

Bashkimi Evropian e ka pezulluar gjithë bashkëpunimin me Nigerin në fushën e sigurisë, pasi ushtria e shtetit e ka marrë pushtetin përmes një puçi.

Ky vendim është bërë i ditur pasi Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje të plotë për presidentin e rrëzuar Mahmaed Bazoum – i cili është konsideruar aleat kyç në luftën kundër militantëve islamikë.

Të premten, udhëheqësi i Gardës presidenciale, gjenerali Abdourahmane Tchiani e ka shpallur veten lider të ri të Nigerit.

Ai ka thënë se pasiguria, problemet ekonomike dhe korrupsioni, e kanë shtyrë që ta marrë pushtetin në dorë.

Mirëpo Perëndimi është shprehur i shqetësuar se me kë do të bëjë tani aleancë lideri i ri.

Vendet fqinje të Nigerit, Burkina Faso dhe Mali, të dyja janë drejtuar kah Rusia, prej puçeve që kanë ndodhur brenda shteteve të tyre.

Kryediplomati i BE-së, Josep Borell, u është bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe Francës, duke refuzuar që ta njohë liderin e ri si udhëheqës të shtetit, dhe ka thënë se bashkëpunimi dhe ndihmat buxhetore do të pezullohen pa afat kohor.

Mes tjerash, të shtunën edhe Unioni Afrikan i ka bërë thirrje ushtrisë së Nigerit që të kthehet në bazën e saj brenda 15 ditëve.

Bazoumi ka qenë lideri i parë i zgjedhur i Nigerit që e ka pasuar një lider tjetër, prej pavarësisë së shtetit më 1960.

Aktualisht, ai besohet se gëzon shëndet të mirë, por edhe duke u mbajtur rob nga garda e tij.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të Bazoumit, dhe i ka dënuar “përpjekjet për ndryshimin e Qeverisë së Nigerit përmes rrugëve jokushtetuese”./REL