Nuk e ka pasur fatin deri tani që të jetë në skuadër.
Chelsea vazhdon turneun përgatitor në SHBA, veçse Armando Broja është i detyruar të vazhdojë stërvitjen në Londër për të qenë gati fizikisht në kohën e duhur.
Gjithsesi, sulmuesi i kombëtares shqiptare beson se kjo kohë ka ardhur, të paktën siç pretendojnë mediat angleze, të cilat theksojnë se Broja po këmbëngul që të paktën të aktivizohet në miqësoren e fundit në tokën amerikane.
Ylli 21-vjeçar, që sipas mediave vlerësohet mjaft nga trajneri Mauricio Pochettino, pretendon se i ka lënë pas të gjitha pasojat e dëmtimit të pësuar në dhjetor të vitit të kaluar, ndonëse mjekët e Chelsea ende janë disi të rezervuar.
Ata tregohen konservatorë dhe duan ta ruajnë futbollistin kuqezi nga ndonjë dëmtim i ri.
Miqësorja ndaj Dortmundit do të jetë e fundit për Blutë e Londrës në SHBA, dhe do të luhet në 3 gusht në stadiumin “Soldier Field” në Chicago.
Broja pret një ftesë nga Pochetino për të qenë pjesë e ekipit dhe për të treguar veten në këtë sfidë qoftë edhe për disa minuta.
Shqiptari po lufton për të pasur një vend tek Chelsea sezonin e ardhshëm pas mundësive të kufizuara që pati vjet, dhe pas një edicioni që u mbyll shumë para kohe për shkak dëmtimi./ h.ll/abcnews.al