Ish-nënkryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli I ka bërë thirrje të rinjve që të krijojnë një lëvizje të re pasi vendi është i papërfaqësuar. 4 politikanët që sot drejtojnë vendin sipas saj, duhen larguar.
U deshën të kalojnë 40 vjet që të rikthehej në auditore të Universitetit të Shkodrës. Përballja me të rinjtë e bënë të udhëtojë në kujtime, të ndalet në ditët kulminante të jetës të cilat e kanë bërë të prekë ekstremet majën dhe fundin. Ndjesitë ia përcolli edhe me mesazhe.
“Siç e dini tashmë unë kam dështuar për shumë vite, deri sa hyra në universitet. Unë kurrë nuk e kasha menduar të bëhesha kryetare parlamenti. Por kurrën e kurrës nuk mund ta besoja se në liri vendi ynë të vuante nga mungesa e përfaqësimit sepse dikujt për të ruajtur karrigen e vet i interesonte djegia e mandateve dhe mos hyrja në zgjedhje”.
Ndonëse zhgënjimin më të madh ia dhanë të vetët brenda partisë, të rinjve u kërkon që alternativën të mos e shohin as në kampet e tjerë politikë.
“Pas 3 dekadave politika është në krizë, vendi është pa përfaqësim. Ekonomia nuk ec. Nuk ka asnjë qeveri dhe as opozitë. Ata kanë deformuar demokracinë e brishtë. Ata ose bëjnë pazare ose bëjnë shantazhe ndaj njëri tjetrit. Është më mirë të ikin 4 shahistat e të rrinë shqiptarët”.
Meta, Rama, Basha, Kryemadhi kanë të përbashkët një frikë sipas ish kryetares së kuvendit, të rinjtë duke iu propozuar që të krijojnë një lëvizje të re kundër këtyre katër personave.
“Nëse forcat e vjetra nuk reformohen ka vetëm një zgjidhje: një lëvizje të re. lëvizje për ndryshim. Dhe mendimi im është tek të rinjtë e të rejat dhe ju që e keni gjithmonë zemrën e re”.
Në ketë ditë Jozefina Topalli u vlerësua nga universiteti “Luigj Gurakuqi” dhe shoqata “Alumni” me çmimin e karrierës. Vitet që ka lënë pas e kanë bërë të arrijë në një përfundim./ABC News Albania 24/7