Prurjet nga reshjet kanë lënë pasoja të mëdha te banorët e Kurbinit. Banesat dhe bizneset u janë përmbytur ndërsa janë strehuar tek të afërmit. Ata thonë për ABC News se mospastrimi i kanaleve kulluese solli këtë situatë ku humbën gjithçka në një natë me stuhi shiu.
Kurbini i ngjan një ishulli. Prurjet e mëdha nga reshjet përmbyten banesa, biznese dhe toka bujqësore. Lagja nr. 5 e qytetit të Laçit është ndër më të prekurat. Abc Neës ishte në familjen e Mark Dod Lleshaj.
Uji vërshoi gjatë natës në shtëpinë e tij dhe të pesë fëmijëve. Banesat ndodhën në të njëjtën zonë. I moshuari tregon se kursimet e një jete i ikën para syve.
“Komplet. Të gjitha kanë dalur jashtë vendit”.
Nga mobiliet nuk ka shpëtuar asgjë.
“10 pula m’i ka marrë, lavatriçen ma ka prishur. Këto janë dëmet”.
Gjatë ditëve me stuhi janë strehuar tek të afërmit.
Problemin e shohin tek kanalet kulluese.
“Shiu ka rënë, por në 12 pa 20 ka ardhur menjëherë në mesnatë. Është hapur kanali matanë atje se prej shiut nuk do kishim përmbytje”.
Nga fatkeqësia natyrore është përmbytur edhe ky biznes. Këtu gjatë natës uji i kaloi 2 metra. Pronari i tij flet për humbje miliona lekë.
“Niveli ka qenë rreth 2 metra e 20 centimetra”.
Në qytet ende po shpërthejnë pusetat nga ujërat. Angazhimi në terren i punonjësve të pastrimit është i pamjaftueshëm për të normalizuar situatën. Nën pushtetin e ujit ndodhet edhe fshati Rrahi i Pashës pranë superstradës. Prurjet e mëdha i morën me vete edhe 200 koshere bletësh njërit prej banorëve.
Toka bujqësore duken shumë pak. Banorët përballen çdo vit me përmbytje. Mospastrimi i kanaleve nga bashkia thonë se i ka penalizuar gjithmonë.
“Përherë, çdo vit përmbytet”.
Për dëmshpërblime as nuk kanë shpresë.
“Ta hajë populli”.
Ndërsa komisionet e vlerësimit të dëmeve ende nuk janë shfaqur në zonat e prekura nga përmbytjet./ABC News Albania 24/7