Edoardo Reja pasoi Christian Panuccin në kombëtaren kuqezi dhe italiani e ka udhëkryqin e të ardhmes ndeshjen me Turqinë. Kualifikimi në Europian me gjasa aty vendoset, sikurse edhe e ardhmja e tij. Tekniku italian ka dhënë një intervistë për “Tuttomercatoweb” dhe flet për shanset e kualifikimit.
“Do të jetë e vështirë, sepse udhëtojmë në Turqi. Veçanërisht kjo transfertë është shumë impenjative për ne. Duhet ta fitojmë atë ndeshje. Pastaj kemi tjetrën po jashtë, kundër Moldavisë, që duhet ta fitojmë që të kemi shpresa. Ndryshe bëhet e vështirë. Turqia ka mundur në shtëpi Francën dhe është një fushë e vështirë. Por rezultatet nuk parashikohen. E kemi parë edhe në kampionatin italian dhe ka shpesh rezultate befasuese”, shprehet Reja.
Më tej ai shton: “Grupi ynë nuk është i thjeshtë. Franca është jashtë garës, nuk konkurrohet. Islanda ka një skuadër të mirë, por ne morëm një fitore të merituar ndaj tyre. Po bëjmë një punë të mirë, kam marrë lojtarë të tjerë dhe kanë treguar që janë zgjedhje të mira. Po rritemi dhe në Shqipëri thonë se nuk kanë parë kurrë të luhet futboll si ky. Shpresoj që mund të bëjmë edhe më mirë”.
Reja flet edhe për mbrojtësin Berat Djimsiti, të cilin e ka stërvitur kur ka drejtuar Atalantën. “Djimsitin e kam pasur në ekip vite më parë dhe ka qenë një lojtar i mirë. Tani është pjekur, po bën më shumë se mirë dhe është një nga më të mirët. Pavarësisht vështirësive në aspektin mbrojtës, ai është gjithmonë në lartësinë duhur”, ka përfunduar trajneri i kombëtares, Edoardo Reja. /abcnews.al