Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha të enjten gjatë një vizite në Papua New Guinea se Shtetet e Bashkuara nuk po kërkojnë një bazë të përhershme në këtë vend të Paqësorit, por do të rrisin aftësitë e tij ushtarake në bazë të një marrëveshjeje të re të mbrojtjes. Disa muaj më parë, Papua New Guinea dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për të rinovuar portet dhe aeroportet e shtetit të rajonit të Paqësorit për përdorim ushtarak dhe civil.
Duke folur gjatë një konference të përbashkët shtypi me kryeministrin, James Marape, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se qëllimi është për të forcuar aftësitë e Papua New Guineas për të mbrojtur veten dhe interesat e saj.
“Dua të jem i qartë, ne nuk po kërkojmë një bazë të përhershme në Papua New Guinea. Është një kornizë themelore për të thelluar marrëdhëniet e mbrojtjes. Vlerat e përbashkëta kanë një rëndësi të madhe dhe kjo është një mundësi për të zgjeruar marrëdhëniet tona që kanë qënë të forta gjatë gjithë kohës”, tha zoti Austin.
Këtë vit, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje sigurie që i lejon Shtetet e Bashkuara të përmirësojnë dhe operojnë portet dhe aeroportet në Papua New Guinea.
Kryeministri Marape tha se marrëveshja e bashkëpunimit do të sjellë përmirësimin e infrastrukturës së mbrojtjes dhe infrastrukturës në përgjithësi, duke sjellë përfitime ushtarake dhe ekonomike për vendin.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili po viziton gjithashtu rajonin e Paqësorit, foli rreth mundësisë që Zelanda e Re dhe vende të tjera t’i bashkohen paktit të mbrojtjes AUKUS, midis ShBA-së, Britanisë dhe Australisë. Zgjerimi i paktit të mbrojtjes pritet të ngjallë zemërimin e Kinës.
“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të përkushtuara për të vënë në jetë vizionin tonë të përbashkët për një Indo-Paqësor të lirë, të hapur, të begatë, dhe të sigurt. Kjo nënkupton një rajon ku vendet janë të lira të zgjedhin rrugën dhe partnerët e tyre, ku problemet trajtohen hapur, ku rregullat hartohen në mënyrë transparente dhe zbatohen në mënyrë të drejtë, ku njerëzit, idetë dhe tregtia të gëzojnë liri dhe të mbrohen nga ligji”, tha kryediplomati amerikan.
Kryeministri i Zelandës së Re, Chris Hipkins tha të mërkurën se vendi i tij ishte “i hapur për bisedime” rreth një roli të mundshëm në paktin AUKUS, për sa kohë që ai nuk lidhet me zhvillimin e nëndetëseve me energji bërthamore. Që nga mesi i viteve 80 Zelanda e Re ka hequr dorë nga teknologjia bërthamore./VOA