Vendimi pro çeljes së negociatave nga CDU/CSU, Basha: Moment që nuk duhet humbur

schedule10:59 - 25 Shtator, 2019

schedule 10:59 - 25 Shtator, 2019

Miratimi pro për çeljen e negociatave me kushte nga ana e grupit më të madh parlamentar gjerman CDU-CSU është një moment që nuk duhet humbur sipas kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët këtë të mërkurë, kreu i selisë blu tha se opozita do ta trajtojë këtë mesazh me përgjegjësi.

“Këtë moment nuk duhet ta humbim. Ne si opozitë jemi të vendosur që këtë mesazh ta trajtojmë me përgjegjësi dhe si shenjë e kësaj përgjegjësie dhe respekt të përpjekjeve të faktorit ndërkombëtar për të ndihmuar Shqipërinë të dalim nda kjo krizë kemi marrë pjesë në tryezën e organizuar nga partnerët ndërkombëtar ku kemi bërë të qartë qëndrimin tonë”, tha Basha.

Basha tha ndër të tjera se përkushtimi i opozitës është t’i japë fund krizës politike, prandaj reforma zgjedhore ka rëndësinë e saj. Pjesëmarrja në tryezën e organizuar ditën e sotme për reformën zgjedhore është një sinjal i gatishmërisë së PD-së për realizimin e reformës

“Së pari dua të them që përkushtimi ynë është t’i japim fund krizës politike dhe në këtë kuadër edhe reforma zgjedhore ka rëndësinë e saj. Për të sinjalizuar gatishmërinë tonë për realizimin e kësaj reforme kemi marrë pjesë në këtë tryezë dhe kemi dhënë qëndrimin tonë. I rëndësishëm është cilësia e produktit. Natyrisht nxitimi për të prodhuar një produkt sa më shpejt lidhet dhe me shqetësimin real për legjitimitetin e institucioneve dhe përgatitjen sa më shpejt të zgjedhjeve, qoftë këto zgjedhje lokale që Bundestagu bën të qartë që duhet të bëhen sipas ligjit të ri zgjedhor, qoftë edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare si një domosdoshmëri për të kaluar krizën politike. Mbi të gjitha duhet domosdoshmëri politike. Rregullat siç janë të shkruajtura sot nëse ndiqni pikë për pikë garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, këtë e thotë edhe OSBE/ODIHR”, tha Basha.

Këtë të mërkurë, u zhvillua një tryezë për reformën zgjedhore me iniciativën e prezencës së OSBE-së dhe bashkëkryetarëve të Komisonit të Posaçëm, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari. Për herë të parë që prej Shkurtit, në një tryezë sëbashku u ul mazhoranca, opozita parlamentare dhe ajo jashtëparlamentare. Këta të fundit dërguan përfaqësues në nivel teknik./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!