Më shumë se 40 njerëz kanë vdekur – shumica në Algjeri – në zjarret në Mesdhe që kërcënojnë fshatrat dhe vendpushimet, ku mijëra njerëz janë evakuuar, shkruan BBC. Greqia po përgatitet për evakuimet e radhës nga Rodosi, pasi zjarret po shpërthejnë edhe në ishujt e Korfuzit dhe Evias. Vala e gjatë aktuale e të nxehtit nuk tregon përmirësim – temperaturat pritet të rriten mbi 44C në pjesë të Greqisë.
Zjarret që u përhapen në Siçili e detyruan Italinë të mbyllë për pak kohë aeroportin e Palermos. Numri më i madh i vdekjeve deri më tani është në Algjeri, ku 34 viktima, përfshirë 10 ushtarë, vdiqën gjatë evakuimit në provincën bregdetare të Bejaia, në lindje të Algjerit.
Autoritetet algjeriane thanë se 80% e zjarreve ishin shuar që nga e diela, por përpjekja masive për shuarjen e plotë vazhdon. Zjarret kanë shpërthyer edhe në Tunizi, ku 300 persona u desh të evakuoheshin nga fshati bregdetar Melloula.
Në Greqi, Ministria e Mbrojtjes Civile paralajmëroi të mërkurën për “rrezik ekstrem” zjarri në gjashtë nga 13 rajonet e vendit. Një ekip shkencëtarësh të klimës – grupi World Weather Attribution – kanë thënë se vala e të nxehtit intensiv të këtij muaji në Evropën Jugore, Amerikën e Veriut dhe Kinë do të ishte praktikisht e pamundur pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit.