Mbyllja e hetimeve për “Toyota Yaris”, debat për udhëzimin e Donika Prelës

schedule15:41 - 24 Shtator, 2019

schedule 15:41 - 24 Shtator, 2019

Pas mbylljes se hetimeve për çështjen “Toyota Yaris” në media është publikuar një udhëzim i drejtueses se Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, dërguar prokurorëve të çështjes. Por në një reagim për mediat, Prokuroria shprehet se udhëzimi nuk ka cënuar punën hetimore të prokurorëve.

Mbyllja e hetimeve për dosjen “Toyota Yaris” ka shkaktuar debate në prokurori. Shkak është bërë udhëzimi i firmosur nga drejtuesja e komanduar e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, e cila udhëzon prokurorët e çështjes që të mbyllin hetimet brenda datës 24 Shtator.

Përmes shkresës së firmosur me 11 Shtator, Prela u kërkon dy prokurorëve Doloreza Musabelliu dhe Eneid Nakuçi që të dërgojnë dosjen për gjykim. Në shkresën e siguruar nga ABC News thuhet:

“Prokurorët e ngarkuar me hetimin të kryejnë veprimet si edhe të marrin masa për dërgimin e çështjes për gjykim përpara datës 24/09/2019, datë në të cilën përfundon afati tërësor i paraburgimit në hetim për katër të pandehurit”.

Drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela ka reaguar për këtë çështje duke sqaruar udhëzimi i saj nuk cënon punën e prokurorëve të çështjes.

“Drejtuesi i Prokurorisë, ashtu sikurse ka ndodhur në rastin konkret ka të drejtë, vetëm të udhëzojë prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore, me udhëzim jo të detyrueshëm për të kryer veprime hetimore, përfundimin e shpejtë dhe në afat të dosjes, duke mos cenuar në asnjë rast të drejtën e prokurorëve për zgjidhje”.

Por sipas ligjit për funksionimin e prokurorive në Republikën e Shqipërisë, në nenin 48 pika 3 thuhet: Udhëzimet në lidhje me procedime konkrete, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij neni, mund të jepen kryesisht në momentin e caktimit të çështjes për ndjekje prokurorit, ose më pas, kur vlerësohet e nevojshme për mbarëvajtjen e ecurisë së procedimit.

Të arrestuar për çështjen  “Toyota Yaris” ku brenda dy makinave u gjetën 3.4 milionë euro në portin e Durrësit janë babë e bir Edi Lika e Klevi Cani, Alban Mollaymeri, dhe Agim Cekaj, ndërsa në kërkim janë kushërinjtë Alfred dhe Elvis Vladi./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!