Prej mesditës të së hënës, Tirana është përfshirë nga moti i keq, me reshje të dendura shiu, stuhi të forta, dhe rrufe. Në një kohë shumë të shkurtër, prej orës 12:00 të 23 Shtatorit dhe deri në orën 6 të mëngjesit të sotëm, nga matjet e kryera rezulton se në kryeqytet ka rënë një sasi e konsiderueshme shiu në një kohë të shkurtër, plot 115 mml.
Kreu i Bashkisë, Erion Veliaj përmes një postimi në Twitter thotë se kjo sasi reshjesh është sa për të gjithë muajt e fundit bashkë në Tiranë, ndërkohë që bën apel për sa më shumë solidaritet.
Era e fortë ka shkaktuar edhe rrëzimin e disa pemëve, por punonjësit e të gjithë ndërmarrjeve të Bashkisë së Tiranës kanë qenë në terren gjatë natës, dhe situata mëngjesin e së martës paraqitet më e normalizuar.
Sakaq, kryebashkiaku Veliaj thotë se po ndërhyhet në të gjitha lagjet e kryeqytetit.
“Shkollat janë hapur, Lana është në shtrat dhe rrugët qytetase janë të kalueshme, po heqim pemët e fundit nga stuhia. Në zonat informale ekipet e emergjencave po pompojnë ujin nga shtëpitë nën nivel të kolektorëve. Çështje kohe sa të mbërrijmë tek secila”, shkruan ai./abcnews.al

