Ceremonia e dorëzimit, sot Luiza Gega merr medaljen e kampiones së Lojërave Olimpike Europiane

schedule16:00 - 18 Korrik, 2023

schedule 16:00 - 18 Korrik, 2023

Nuk i kishte ndodhur kurrë më parë kështu.

Luiza Gega ka fituar shumë medalje në karrierën e saj, veçse gjithmonë pas përfundimit të garave, në stadium dhe në podium në krah të medalisteve të tjera.

Gjithsesi, sot ajo do të provojë diçka ndryshe, pasi medaljen e radhës do të marrë në një ceremoni zyrtare në Tiranë.

Kjo, pasi triumfi I saj në garën e 3 000 metrave me pengesa në Kampionatit Europian ekipor në Silezi të Polonisë, pati vlerë edhe për titullin e Lojrave Olimpike Europiane.

Medalja e artë për Gegën është pikërisht si kampione olimpike e kontinentit, pasi në Europianin ekipor nuk ka medalje individuale.

Ceremonia për dorëzimin e trofeut më të fundit të karrierës së athletes më të mirë shqiptare zhvillohet sonte në orën 19:00, e organizuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Përveç triumfit olimpik, Gega realizoi edhe diçka tjetër tepër të madhe në Europianin ekipor.

Ajo ia doli në dy gara, në 3 000 metrat me pengesa si dhe në 5 000 metra duke arritur në 11 fitore në kampionatet ekipore.

Kjo do të thotë barazim i rekordit të turneut, që e mbante atletja e famshme bullgare, Lalova.

Ndërkaq, vjet Luiza fitoi për herë të parë në jetën e saj titullin e kampiones së Europës në kampionatin individual në Mynih të Gjermanisë, ndërsa në gusht shpreson të arrijë zonën e medaljeve në Botërorin që mbahet në Budapest të Hungarisë./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!