Vendimi i autoriteteve suedeze për të dhënë leje për djegien e Tevratit , tekstit të shenjtë më të rëndësishëm të judaizmit, i planifikuar të bëhet jashtë ambasadës izraelite në Stokholm këtë të shtunë, më 15 korrik, po shkakton bujë në Izrael.
Policia suedeze ka dhënë leje për një tubim në të cilin tre persona planifikojnë të djegin një kopje të Biblës dhe një kopje të Tevratit përpara ambasadës izraelite.
Sipas kërkesës drejtuar policisë, organizatori i tubimit theksoi se donte të digjte këto tekste fetare në përgjigje të djegies së një kopje të Kuranit, në një tubim të mbajtur në qershor, para xhamisë së Stokholmit, gjë që provokoi zemërimn e botës myslimane.
Por organizata e komuniteteve hebraike në Suedi shprehu habinë dhe pikëllimin e saj të thellë. “Tora është thesari ynë më i shenjtë i kodeve morale dhe etikës që kanë ndryshuar botën në të cilën jetojmë”, thuhet në deklaratë.
Organizata nënvizoi jehonën e dhimbshme të historisë hebreje në Evropë, ku djegia e librave hebrenj shpesh lajmëronte kohë të persekutimit ekstrem, duke përfshirë masakrat, dëbimet, inkuizitorët dhe Holokaustin.
Kryeministri Benjamin Netanyahu dënoi gjithashtu djegien publike të shkrimeve të shenjta në Suedi.
“Unë dënoj fuqishëm vendimin e autoriteteve në Suedi për të lejuar djegien e një libri të Torahut para ambasadës izraelite”, tha Netanyahu. “Shteti i Izraelit e merr shumë seriozisht këtë vendim të turpshëm që dëmton Shenjtin e të Shenjtëve të popullit hebre. Duhet të respektohen librat e shenjtë të të gjitha feve”.
/abcnews.al