Rama solidarizohet me Kurtin: Uroj që opozita të distancohet nga dhuna e turpshme

schedule12:31 - 13 Korrik, 2023

schedule 12:31 - 13 Korrik, 2023

SHQIPËRI- Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka dënuar përplasjen e sotme në Kuvendin e Kosovës. Ai shkruan se akte të tilla i ulin imazhin vendit në arenën ndërkombëtare.

Shefi i qeverisë shqiptare thotë se shpreson që opozita në Kosovë të debatojë me ide dhe jo me akte dhune, si këto të sotmet në Kuvend.

“Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit!  Imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushta! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës!”, shkruan Rama në twitter.