Tragjedia në Potam/ Prokuroria dërgon për gjykim 9 persona. Ngre akuzën e vrasjes për efektivin Arjan Tase

schedule11:21 - 11 Korrik, 2023

schedule 11:21 - 11 Korrik, 2023

VLORË- Një vit nga ngjarja tragjike në plazhin e Potamit në Himarë, ku vogëlushja Jonada Avdia u vra në breg të detit nga skafi që drejtonte oficeri i policisë Arjan Tase, Prokuroria e Vlorës ka përfunduar hetimet dhe dorëzon dosjen në Gjykatë me 9 të pandehur.

Prokuroria ka dalë në përfundimin se ngjarja ka ndodhur si pasojë e mosrespektimit nga ana e drejtuesit të mjetit lundrues Arjan Tase të zonës së përcaktuar për notarë si dhe manovrës së gabuar në drejtimin e mjetit.

Arjan Tase akuzohet për veprën penale të “Vrasje me dashje” në mënyrë indirekte, dënim i cili shkon deri në 20 vite heqje lirie.

Për tetë personat e tjerë, të cilët janë punonjës të policisë kufitare në Vlorë dhe në Dhërmi, si dhe dy policë të bashkisë Himarë, prokuroria ka ngritur akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Mes 6 zyrtarëve të policisë që janë marrë të pandehur janë Fatos Muka, shef i sektorit të kufirit kufirin e Vlorës, si dhe Neritan Buzi, shef stacioni në policinë e Dhërmiut.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht të vitit të shkuar në Plazhin e Potamit. 7 vjeçarja Jonada Avdia humbi jetën nga një skaf që drejtohej nga komisari Arjan Tase. Jonada me origjinë nga Tropoja kishte ardhur me pushime me prindërit e saj, të cilët prej më shumë se dy dekadash jetonin në Angli.

Ngjarja tronditi opinionin publik në të gjithë Shqipërinë të cilët u ngritën në protesta për javë me radhë. Për këtë ngjarje në atë kohë u shkarkua i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës./ n.m.abcnews.al