Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë arrest në burg për Valter Bamin, të arrestuarin e vetëm që dyshohet i përfshirë në atentatin ndaj Gentjan Bejtjas në Larushk, ku humbi jetën kunati i tij Ramazan Sino dhe iu plagosën dy djemtë e mitur.
Bami ka mohuar përfshirjen në atentat duke deklaruar që në orarin kur ka ndodhur vrasja ai ndodhej në shtëpi me familjarët e tij.
Në përfundim të seancës edhe avokati i tij mbrojtës, Ilir Murati tha se vendimi i gjykatës është i padrejtë dhe se prokuroria nuk ka prova që klienti i tij të implikohet në ngjarje.
Fillimisht Valter Bami u shoqërua në polici katër orë pas atentatit në Larushk të Krujës dhe pasi iu nënshtrua një ekspertimi kimik, u la i lirë. Por sipas prokurorisë, pas daljes së përgjigjes rezultoi se në dorën e majtë të tij u konstatuan gjurmë baruti dhe kjo detyroi organzin e akuzës të nxjerrë urdher ndalimi për të.
Zyrtarisht ndaj Valter Bamit rëndon akuza e armëmbajtjes pa leje. Por hetuesit kanë dyshime të forta që ai të jetë një nga autorëte ngjarjes.
Për hetuesit, konfliktet mes Gentjan Bejtjas dhe dy vëllezërve Durim e Valter Bami, si dhe Marklen Hakës janë të hershme, kjo për shkak të përplasjeve mes grupeve rivale në zonën e Niklës e të Krujës.