NYT: Prigozhin nuk u largua kurrë nga Rusia pas rebelimit kundër Putinit

schedule15:36 - 8 Korrik, 2023

schedule 15:36 - 8 Korrik, 2023

Një zyrtar i Pentagonit, i cili foli në kushte anonamiteti tha për New York Times se Yevgeny Prigozhin nuk u largua nga Rusia pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit.

Shefi i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin thuhej se ishte zhvendosur në Bjellorusi pas rebelimit kundër presidentit rus, Vladimir Putin.

Megjithatë, zyrtari amerikan ka deklaruar se një njeri që i ngjan Prigozhinit ka udhëtuar drejt shtetit bjellorus ndërsa vetë Prigozhin ka qëndruar gjatë gjithë kohës në Rusi, më saktë në vendlindjen e tij në Shën Petersburg.

“Ai mund të ketë përdorur një sozi të tij për tu dukur sikur është arratisur nga Rusia”, tha zyrtari.

“Asnjë nga njësitë e  grupit Wagner nuk është dërguar në Bjellorusi dhe shumica janë ende në Ukrainë”, shtoi ai.

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko ka deklaruar ditë më parë se ishte e paqartë nëse luftëtarët e Wagnerit do të zhvendoseshin në shtetin bjellorus pasi ai tha se po bënte gati bazat ushtarake.

 “Sa i përket Prigozhinit, ai është në Shën Petersburg. Ai nuk është në territorin e Bjellorusisë”, tha lideri bjellorus.

Duke iu përgjigjur kësaj deklarate të Aleksandër Lukashenkos, Kremlini njoftoi se nuk po monitoron lëvizjet e Prigozhinit.

/abcnews.al