Hirving Lozano ishte goditja e madhe e Napolit në merkato. 42 milionë euro përfunduan në arkat e PSV, ndërsa 24-vjeçari firmosi një kontratë 5-vjeçare me një rrogë prej 4.5 milionë eurosh në sezon.
Ai ndiqej edhe nga Milani e PSG, por Napoli ishte zgjidhja e parë. Lozano tregon shkakun në prononcimin e dhënë për “La Reppublica”. Bukuria e qytetit jugor italian e ka mahnitur dhe në fund lojtari ofensiv e mbyll me një mesazh për shokët e skuadrës.
“Për mua u interesuan edhe Milan e PSG, por zgjodha Napolin për shkak të Carlo Ancelottit. Jam befasuar nga qyteti. Është shumë i bukur dhe kam marrë shtëpi afër Insignes. Shokët e rinj të skuadrës i kisha parë vetëm në TV, por nga afër janë më të jashtëzakonshëm. Duhet të punojmë fort dhe gjithçka varet nga ne, nëse duam të fitojmë trofe”, përfundon meksikani i nënkampionëve të Italisë. /abcnews.al