Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha të enjten, pas një takimi në Bruksel që synonte tejkalimin e kundërshtive të Turqisë, se Suedia është pranë anëtarësimit në NATO.
Shefi i NATO-s tha se udhëheqësit e Suedisë dhe Turqisë do të takohen të hënën në Vilnius të Lituanisë, në prag të takimit të nivelit të lartë të NATO-s, që do të mbahtet atje në 11 e 12 korrik, për të kapërcyer pengesat për anëtarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake.
“Qëllimi im kryesor është që marrëveshja të jetë arritur deri në mbajtjen e takimit të nivelit të lartë”, tha ai pasi takimit me zyrtarët suedezë, turq dhe finlandezë në selinë e NATO-s në Bruksel.
Vitin e kaluar, Suedia dhe Finlanda ndryshuan qendrimet e tyre tradicionale të mosangazhimit ushtarak, për të kërkuar mbrojtje nën ombrellën e sigurisë së NATO-s, pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Kërkesa për anëtarësim në NATO duhet të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare, ndërsa Finlanda mori dritën jeshile në muajin prill të këtij viti, Turqia dhe Hungaria nuk kanë dhënë ende miratimin përfundimtar për Suedinë.
Synimi i Stokholmit është që të anëtarësohet në NATO gjatë takimit të nivelit të lartë që do të mbahet në Vilnius.
“Po shpresojmë dhe presim një vendim pozitiv javën e ardhshme”, u tha gazetarëve në Bruksel ministri i Jashtëm suedez, Tobias Billstrom.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan thotë se Suedia se po strehon anëtarë të grupeve militante, kryesisht mbështetës së Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, të cilën e akuzon për financim të grupeve terroriste dhe për organizim të demostratave.
Nga ana e saj Suedia ka thënë se i ka përmbushur të gjitha detyrimet për të cilat ishte angazhuar gjatë bisedimeve me Turqinë, përfshirë një ligj të ri sipas të anëtarësimi në një organizatë terroriste përbën shkelje të ligjit. /VOA