Dënohen me një vit shërbim prove 8 protestuesit e Rrugës së Kombit

schedule13:05 - 21 Shtator, 2019

schedule 13:05 - 21 Shtator, 2019

Gjykata e Kukësit ka dënuar me 1 vit shërbim prove 8 protestuesit e rrugës së Kombit. Ata kanë pretenduar pafajësi para trupit gjykues duke u shprehur se çështjen do ta çojnë në Apel. Pas vendimit ka reaguar edhe dega e PD në Kukës, e cila deklaroi se dënimi është politik dhe i pambështetur në prova.

Pas disa seancave maratonë prej më shumë se një viti e gjysëm, Gjykata e Kukësit ka dënuar  me 6 muaj  burgim të konvertuar në periudhë prove një vit, tetë prej protestuesve kundër taksës në “Rrugën e Kombit”.

Ervis Oruçi, Armand Ademaj, Fatos Harulla, Mirdaim Nerguti, Lulzim Popa, Ahmet Tobli, Shpetim Todaj dhe Shaban Selmanaj, u akuzuan nga prokuroria për veprën  penale të “Shkatërrimi i pronës” dhe “Kundërshtimit të punonjësit policisë së rendit publik”.

Vendimin e  Gjykatës së Shkallës së Parë të Kukësit ata nuk e kanë pranuar dhe do e apelojnë në Gjykatën e Apelit në Shkodër duke pretenduar pafajësi.

Pas vendimit ka reaguar edhe kreu i PD në Kukës Arif Rexhamati i cili e konsideroi të padrejtë dhe të pambështetur në prova.

Më 31 mars të viti të kaluar qytetarët e Kukësit dolën në protestë kundër pagesës pesë euro për kalim në “Rrugën e Kombit”. Protesta doli jashtë kontrollit kur protestuesit sulmuan dhe shkatërruan vendpagesën. Në qershor të vitit kaluar, Gjykata e Kukësit shpalli fajtorë edhe 25 protestues të akuzuar për dëmtimin e pikës së pagesës. Vendimi  u mor në një seancë të vetme gjyqësore. /ABC News Albania24/7