Brexit, Londra dhe Brukseli zbusin qëndrimet

schedule19:34 - 20 Shtator, 2019

schedule 19:34 - 20 Shtator, 2019

Bashkimi Europian dhe Britania kanë zbutur qëndrimet në lidhje me Brexit. Pas një vizite të zhvilluar në Bruksel, negociatori britanik ka deklaruar se palët ndajnë të njëjtin qëllim për arritjen e një marrëveshjeje.

Sekretari britanik për çështjen e Brexit, Stephen Barclay ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian ndajnë të njëjtin qëllim sa i takon arritjes së një marrëveshjeje. Deklarata ka ardhur pas një takimi të zhvilluar në Bruksel me negociatorin e BE-së, Mishel Barnier.

Barclay tha se me Barnier kishte patur bisedime serioze e të detajuara dhe se gjërat tashmë po ecin përpara. Nga ana e tij, negociatori europian e cilësoi takimin si “miqësor”, por shtoi se shumë punë mbeten për t’u bërë në ditët e ardhshme.

Data për daljen e Britanisë së Madhe nga Unioni është caktuar për më 31 Tetor. Të enjten, presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker tha se deri atëherë mund të arrihet një marrëveshje e re për Brexit.

Edhe kryeministri Boris Johnson vlerësoi se në bisedime e sipër është arritur progres, por shtoi se nuk duhet ekzagjeruar. Por ministri i Jashtëm irlandez Simon Coveney tha të premten për BBC se mes Londrës dhe Brukselit ka një hendek të madh, pasi europianët kërkojnë ende propozime konkrete nga pala britanike.

Çështja e kufirit të Irlandës së Veriut mbetet sfida kryesore në kontestin BE-Britani. Ajo ishte një nga pikat që pengoi marrëveshjen e arritur nga ish-kryeministrja Theresa May të miratohej në Parlament./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!