Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u takua në Prishtinë me të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Përmes një njoftimi nga Presidenca e Kosovës, u bë e ditur se në takim u diskutua për përpjeket për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjes së Brukselit aneksit të Ohrit.
Sipas Osmanit, Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të vendit.
“Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim përfaqësuesin special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak. Gjatë takimit u diskutua mbi sfidat aktuale politike dhe të sigurisë me theks të veçantë në veriun e vendit, përpjekjet për deeskalimin e situatës, sikurse edhe nevojën për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.
Në kontekst të zhvillimeve të fundit në veriun e vendit, Presidentja Osmani ka theksuar se grupet kriminale dhe individët që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, duhet të përballen me drejtësinë. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e palëkundur në synimin e saj për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon”, thuhej në njoftim.