E ardhmja e gjeopolitikës varet nga 6 shtete

schedule10:29 - 30 Qershor, 2023

schedule 10:29 - 30 Qershor, 2023

Nga Cliff Kupchan, Foreign Policy

Volodymyr Zelensky qëndroi jo pak ditë larg Ukrainës, muajin e kaluar. Ai vizitoi Jeddah në Arabinë Saudite ku qëndroi një javë dhe më pas shkoi në Hiroshima të Japonisë.

Synimi i tij ishte mëse i qartë dhe i kuptueshëm, të fitonte mbështetjen e Brazilit, Indisë, Indonezisë dhë Arabisë Sauidtë dhe 4 vendeve të tjera të rëndësishme që hezitojnë të marrin pjesë në një formë apo tjetër në luftën Rusi-Ukrainë.

Këto dhe vende të tjera udhëheqëse të Jugut Global, kanë sot më shumë fuqi se kurrë më parë. Arsyet për peshën e tyre të re gjeopolitike :Kanë më shumë ndikim, përfitojnë jo pak nga rajonalizimi, dhe mund të nxisin tensionet SHBA-Kinë.

Sot fuqitë e mesme kanë më shumë ndikim më shumë se që nga Lufta e Dytë Botërore.

Këto janë vende me një ndikim gjeopolitik të konsiderueshëm, por ato janë gjithsesi më pak të fuqishme sesa dy superfuqitë e botës: Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

Në veriun global, ato përfshijnë Francën, Gjermaninë, Japoninë, Rusinë, Korenë e Jugut dhe të tjerë. Me përjashtim të Rusisë, këto vende nuk na tregojnë shumë mbi dinamikën e ndryshimit të fuqisë dhe levave, pasi ato mbeten gjerësisht në një linjë me Shtetet e Bashkuara, raporton abcnews.al.

Shumë më interesante janë 6 fuqitë e mesme kryesore të Jugut Global: Brazili, India, Indonezia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut dhe Turqia.

Këto shtete të lëkundura të Jugut Global, nuk janë plotësisht në një linjë me asnjërën nga superfuqitë, dhe për këtë arsye janë të lira që të krijojnë dinamika të reja.

Të gjitha janë anëtare të G20-ës dhe shumë aktive si në gjeopolitikë ashtu edhe në gjeoekonomi.

Nga ana tjetër, këto 6 fuqi të mesme shërbejnë si një barometër i mirë për tendencat më të gjera gjeopolitike në Jugun Global.

Ekzistojnë shumë arsye për rëndësinë në rritje të këtyre 6 shteteve, por ato mund të grupohen në 2 kategori :zhvillimet afatgjata, historike dhe tendencat më të fundit globale.

Sa i përket të parave, zhvillimet që nga Lufta e Ftohtë u kanë dhënë këtyre fuqive më shumë ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare. Lufta e Ftohtë solli një ndarje më të rreptë në blloqet kundërshtare, të cilat tërhoqën disa nga shtetet e sotme të lëkundura.

Epoka pasuese e unipolaritetit të SHBA-së, bëri të nevojshme njëfarë besnikërie ndaj Uashingtonit nga gati të gjitha shtetet. Bipolariteti i sotëm Kinë-SHBA, është më i dobët dhe të gjitha fuqitë e mesme kanë më shumë liri lëvizjeje.

Kategoria e dytë gjendet tek trajektorja e historisë: Bota është de-globalizuar në mënyra të rëndësishme gjatë 2 dekadave të fundit, ndaj po formohen marrëdhënie të reja gjeopolitike dhe gjeoekonomike në nivel rajonal.

Shtetet e lëkundura, janë që të gjitha lidere rajonale, dhe ato bëhen më të rëndësishme në kushtet kur fuqia kalon në rajonet e tyre. Proceset e lëvizjes së zinxhirëve të furnizimit më afër shtëpisë dhe larg kundërshtarëve, po i zhvendosin dalëngadalë disa kompani dhe marrëdhënie tregtare larg Kinës në rajoneve të tjera, kryesisht në Jugun Global, raporton abcnews.al.

Disa nga shtetet e lëkundura të Jugut Global, do të shndërrohen në qendra edhe më të ngarkuara të tregtisë rajonale. Shembulli më i mirë është India, kur disa kompani amerikane po drejtojnë zinxhirë të rinj furnizimi. Edhe tregjet e energjisë po bëhen më rajonale, dhe nga kjo përfiton Arabia Saudite.

Po ashtu, kryeqyteti saudit, Riadi, po shfaqet si një qendër financiare rajonale. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka bërë të qartë se bota po fragmentohet, dhe në një botë të fragmentuar fuqitë e mesme rajonale luajnë logjikisht një rol gjithnjë e më të rëndësishëm.

Ndërkohë, gjatë Luftës së Ftohtë, India dhe Indonezia sapo kishin dalë nga sundimi kolonial dhe kjo e kufizoi rolin e tyre global gjatë asaj epoke bipolare.

Sot, 6 shtetet e lëkundura janë aktorë plotësisht autonomë.

Por ata nuk janë vetëm një mishërim i ri i Lëvizjes së të Paangazhuarve, apo i grupimeve të tjera të dominuara nga Jugu Global, si G-77 dhe BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), ku asnjë nuk ka grumbulluar shumë fuqi. Të gjitha këto grupe përfshihen ose përfshijnë njëfarë afërsie ideologjike, të cilin nuk e kanë 6 shtetet e lëkundura.

Mungesa e afërsisë ideologjike, i ndihmon këto shtete të kenë një qasje të fortë transaksionale në politikën e jashtme, e cila nga ana e saj e rrit ndikimin e tyre të përgjithshëm në çështjet ndërkombëtare.

Fuqia e shteteve të lëkundura rritet nga ndikimi që fitojnë nga konkurrenca dhe konfrontimi, që po karakterizon gjithnjë e më shumë marrëdhëniet SHBA-Kinë.

Secila superfuqi dëshiron që shtetet lëkundura të afrohen me të, duke krijuar mundësi që ato të vihen njëra kundër tjetrës. Për shembull, fuqia dhe ndikimi i Indisë është rritur shumë që kur iu bashkua Dialogut Katërpalësh të Sigurisë, QUAD, përpjekja më e rëndësishme e udhëhequr nga SHBA për të balancuar fuqinë e Kinës në rajon, raporton abcnews.al.

Brazili dhe Indonezi e kanë përfituar nga dëshira e Kinës për të firmosur marrëveshjet për mineralet thelbësore, veçanërisht litiumin, nikelin dhe aluminin. Një studim i kohëve të fundit, tregon se ndërsa secili nga 6 shtetet mund të lëvizë drejt Shteteve të Bashkuara ose Kinës për një çështje të veçantë, shumica e tyre mbeten relativisht të ekuilibruar në besnikërinë e tyre.

Tani për tani, ata do të jenë të lira në shumë fusha, për ta vënë njërën fuqi të madhe kundër tjetrës.

Përjashtimi i vetëm janë teknologjitë themelore, përfshirë gjysmëpërçuesit, inteligjencën artificiale, teknologjinë kuantike, telekomunikacionin 5G dhe bioteknologjinë.

Këtu, fuqitë e mesme duhet të bëjnë ndoshta një zgjedhje midis tregtisë me Shtetet e Bashkuara ose Kinën. Gjashtë shtetet e lëkundura, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në sanksionet dhe inkuadrimin e optikës së luftës në Ukrainë. Që në fillim, ato kanë refuzuar të bëhen pjesë e ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën dhe sanksioneve ndaj Rusisë.

Argumentojnë se lufta prek vetëm sigurinë evropiane dhe jo atë globale, dhe se ajo nuk i çon përpara interesat e tyre kombëtare në zhvillim, reduktimin e borxhit, garantimin e sigurisë ushqimore, asaj energjetike dhe fusha të tjera.

Por ndikimi më i rëndësishëm i këtyre shteteve në luftë, ka qenë roli i tyre udhëheqës në kundërshtimin dhe në disa raste minimin e sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.

Turqia është një nga disa vendet e përfshira në kanalizimin e vëllimeve të mëdha të artikujve me përdorim të dyfishtë në Rusi, duke shkelur frymën dhe ndoshta gërmën e sanksioneve perëndimore.

Për këto aktivitete, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tashmë nën sanksione 4 kompani turke. Shumica e fuqive të tjera të mesme, kanë mbetur plotësisht neutrale, edhe pse Afrika e Jugut anon drejt Rusisë.

 Që nga fillimi i luftës, të gjashta këto vende kanë mbajtur ose rritur lidhjet tregtare dhe të llojeve tjera me Rusinë.

FMN-ja parashikon që ekonomia ruse të rritet me 0.7 për qind këtë vit. Shtetet e lëkundura e kanë ndihmuar Rusinë të zbehë ndikimin e sanksioneve perëndimore, dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Ato janë një arsye përse Kremlini duket se beson se mund të sigurojë jetesën duke e zhvendosur tregtinë në jug dhe në lindje.

Rritja e madhe e ndikimit dhe levave të fuqive të mesme të Jugut Global është e dukshme edhe tek nismat e tyre ndërmjetësuese. Turqia është fuqia e vetme e jashtme më me ndikim në luftën në Ukrainë.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka qenë një negociator kryesor i marrëveshjeve të grurit.

Po ashtu, ai ishte i përfshirë në bisedimet e paqes që në fillim të luftës, dhe ndodhet në një pozitë të mirë për të lehtësuar bisedimet e ardhshme, nëse e zgjedhin palët ndërluftuese. Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva ka dalë me iniciativën e tij, ndërsa India është pozicionuar më në heshtje për të ndërmjetësuar një paqe në të ardhmen.

Disa mund të mos bien dakord me idenë se këto 6 shtete të lëkundura janë fuqitë që duhet mbajtur nën vëzhgim në të ardhmen. Të gjithë ato janë ende tregje në zhvillim, dhe me përjashtim të Indisë, ritmet e rritjes ekonomike në këto shtete nuk i kanë përmbushur pritshmëritë.

Ky grupim ngec në klasë edhe sa i përket zhvillimit të institucioneve që mbështesin sundimin e ligjit.

Ndërkohë revolucionet teknologjike, përfshirë atë të Inteligjencës Artificiale, do të godasin më shumë Jugun Global sesa demokracitë e përparuara të industrializuara, pasi i pari ka më pak burime me të cilat mund të luftojë kundër efekteve politikisht të rrezikshme të AI.

Pasoja më e rëndësishme është se Uashingtoni duhet të përmirësojë lojën e tij drejt këtyre 6 vendeve, në mënyrë që të parandalojë një dobësim të konsiderueshëm të pozicionit të SHBA-së në balancën globale të fuqisë. Ftesa e shumicës së këtyre shteteve në samitin e fundit të G-7 ishte një fillim i dobishëm, por nevojitet shumë më tepër, raporton abcnews.al.

Një strategji më e mirë do t’ia fillonte nga më shumë vizita të nivelit të lartë nga diplomatët kryesorë të SHBA-së. Po ashtu, një politikë e përmirësuar ndaj tyre do të përfshinte një strategji tregtare më të shkathët. Ndërkaq Shtetet e Bashkuara duhet të jenë në gjendje të parashikojnë më mirë reagimet e 6 shteteve të lëkundura dhe Jugut Global ndaj vendimeve kyçe të politikave të SHBA-së.

Për shembull, shkalla në të cilën Jugu Global u distancua nga politikat perëndimore mbi luftën e Rusisë në Ukrainë e kapi në befasi Uashingtonin. Midis këtyre shteteve, nuk ka modele të dallueshme sjelljeje përtej ndjekjes intensive të interesit të tyre kombëtar.

Kjo i bën edhe më të vështira parashikimet e rezultateve gjeopolitike.

/abcnews.al