Orban kundër miratimit të më shumë fondeve për Ukrainën

schedule08:52 - 30 Qershor, 2023

schedule 08:52 - 30 Qershor, 2023

Hungaria kundërshton planet e Komisionit Europian për t’i dhënë më shumë para Ukrainës dhe nuk është e gatshme të kontribuojë me para shtesë për të financuar kostot e rritura të shërbimit të borxhit të BE-së, tha kryeministri Viktor Orbán për radion shtetërore të premten.

“Një gjë është e qartë, ne hungarezët nuk do t’i japim më shumë para Ukrainës derisa të thonë se ku kishin shkuar fondet e mëparshme me vlerë rreth 70 miliardë euro,” tha Orban.

“Dhe ne e shohim krejtësisht qesharake dhe absurde që duhet të kontribuojmë më shumë para për të financuar kostot e shërbimit të borxhit të një kredie nga e cila ende nuk kemi marrë fondet që kemi të drejtë të marrim.”

Orban po fliste në margjinat e samitit të BE-së në Bruksel. Budapesti, së bashku me Poloninë  nuk ka marrë fonde nga fondi i rimëkëmbjes së BE-së mes një mosmarrëveshjeje për sundimin e ligjit.

Reuters raportoi të enjten, se liderët e BE-së deklaruan se do të merrnin angazhime afatgjata për të forcuar sigurinë e Ukrainës, ndërsa presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy u kërkoi atyre të fillonin punën për një raund të ri sanksionesh kundër Rusisë.

Orban tha se nuk kishte pothuajse asnjë shans që vendet anëtare të Bashkimit Europian t’i miratonin këto plane financiare dhe do të fillonte një “luftë e gjatë”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!