Parlamenti francez këtë të enjtë pritet që të votojë projektligjin që do të kërkonte që platformat e mediave sociale si TikTok, Snapchat ose Instagram të verifikojnë moshën e përdoruesve të tyre dhe të marrin pëlqimin prindëror kur ata janë nën 15 vjeç.
Pas dritës jeshile të dhënë të mërkurën unanimisht nga Asambleja Kombëtare, projektligji duhet të miratohet sot nga Senati.
Mediat shkruajnë se data e hyrjes në fuqi të tekstit është ende e pasigurt dhe varet në veçanti nga opinioni që Komisioni Evropian duhet të nxjerrë për pajtueshmërinë e tij me ligjin e BE-së.
Ndërkohë mediat sociale do të kenë më pas një vit për të përmbushur detyrimet e tyre për regjistrimet e reja dhe dy vjet për llogaritë ekzistuese, megjithëse detajet teknike janë ende duke u konsultuar. “Mosha dixhitale” e 15 viteve që përmendet në tekst nuk është e re: ajo u prezantua në Francë në vitin 2018 në zbatim të legjislacionit evropian.
Por ky prag ka të bëjë më gjerësisht me moshën nën të cilën kërkohet pëlqimi prindëror për të përpunuar të dhënat personale të të miturit. Mbi të gjitha, ai nuk zbatohet realisht dhe nuk ka pasur asnjë efekt në aksesin e fëmijëve në mediat sociale.
Në teori, mediat sociale nuk janë të hapura në Francë për personat nën moshën 13 vjeç. Megjithatë, regjistrimi i parë ndodh mesatarisht në rreth 8.5 vjeç dhe më shumë se gjysma e fëmijëve të moshës 10-14 vjeç kanë një prani atje, sipas Autoritetit Francez të Mbrojtjes së të Dhënave (CNIL).
Në rast të shkeljes së detyrimeve të tyre të reja , rrjetet sociale do të penalizohen, me gjobë deri në 1% të xhiros globale të kompanisë. Teksti gjithashtu lejon një prind të kërkojë që të pezullohet llogaria e një fëmije nën 15 vjeç. /abcnews.al