Kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut: Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve

schedule12:01 - 27 Qershor, 2023

schedule 12:01 - 27 Qershor, 2023

Kryetari i komunës në veri të Mitrovicës, Erden Atiç, ka deklaruar se do të vazhdojnë punën pavarësisht sulmeve dhe kërcënimeve. Ai ka reaguar pasi objekti komunal u sulmua mbrëmë me granatë dore.

Atiq u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që të trajtojnë me urgjencë këtë rast dhe kryesit të dalin para drejtësisë.

“Sulmi i mbrëmshëm me granatë dore M75 në objektin e komunës sonë është padyshim sulm i organizuar terrorist. Këto akte kriminale e terroriste që tentojnë të ngjallin frikë nuk do të ia dalin. Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve e kërcënimeve të tilla. Në anën tjetër, unë i bëj thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që ta trajtojnë me urgjencë rastin dhe kryesit e këtij sulmi të vihen sa më parë para drejtësisë”, ka shkruar ai.

Ndërtesa e komunës në veri të Mitrovicës është sulmuar me granatë dore, mbrëmë në orët e vona.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka të lënduar, përveç dëme materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare policore./KosovaPress