Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri Edi Rama u prit këtë të martë nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Takimi me von der Leyen i kreut të qeverisë, pason atë me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, detajet për të cilin Rama i ndau përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, ishim të një mendje se lirimi i tre policëve të Kosovës sot ishte një lajm shumë i mirë, megjithëse i vonuar!
Domosdoshmëria e de-eskalimit të menjëhershëm, e cila është rruga e duhur drejt fazës finale të Dialogut për Marrëveshjen e Normalizimit mes Kosovës e Serbisë, duhet kuptuar qartë nga të dyja palët edhe si një detyrim madhor ndaj krejt rajonit, i cili nuk mund të merret peng nga askush”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.