Danny Da Costa është 26 vjeç, luan në rolin e mbrojtësit të djathtë dhe verën e vitit 2017 la Bayer Leverkusen për t’u transferuar te Eintracht Frankfurt, ekip në të cilin vazhdon të aktivizohet.
Lojtari ka qenë pjesë e të gjitha kombëtareve të moshave të Gjermanisë. Ai numëron 5 ndeshje të zhvilluara me Gjermaninë U21, ndërsa debutimi me kombëtaren e madhe nuk ka ndodhur ende.
Da Costa është bërë së fundmi pjesë e një rasti të veçantë. Sipas raportimeve të Bild, mbrojtësi ka denoncuar nënën e tij! Shkaku? Gjashtë uniforma, të cilat lojtari pretendon se ia ka vjedhur e ëma.
Bëhet fjalë për uniforma, të cilat Da Costa i ruante që prej kohës kur aktivizohej me moshat e Bayer Leverkusen, ndërsa të premten e ardhshme (27 shtator) do të mbahet një seancë gjyqësore në Këln.
Ndryshe pretendon nëna e lojtarit, e cila thekson se ato gjashtë uniforma janë dhuratë e djalit të saj. Një situatë pothuajse e pabesueshme. Palët kanë akoma disa ditë kohë për të bërë paqe, përndryshe do të jetë Gjykata e qytetit të Këlnit që do të zgjidhë “hallin e madh” midis lojtarit me origjinë nga Angola dhe nënës së tij. /abcnews.al