Interi nuk e nisi mbarë sezonin e ri të Champions Ligës, aty ku ndodhet në një grup me Barcelonën, Borussia Dortmund dhe Slavia Prague. Zikaltrit e Antonio Contes nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 në shtëpi të martën pasdite përballë ekipit çek. Golit të Peter Olayinka, i cili njihet mirë nga tifozët shqiptarë prej faktit që është aktivizuar me Bylisin dhe Skënderbeun në Superiore, iu përgjigj në minutat shtesë Nicolo Barella.
Trajneri leçez i skuadrës zikaltër nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij dhe mbrëmjen e së martës e ka kaluar në qendrën stërvitore të Appiano Gentile-s. Dita e djeshme ka nisur me drekë dhe pas saj ishte radha e analizës së duelit kundër ekipit çek. Conte ka evidentuar gabimet e gjithë skuadrës dhe nuk i ka kursyer vërejtjet për lojtarët e tij. Interi i vërtetë u pa vetëm në tetë minutat shtesë, diçka e papranueshme për tifozët dhe aq më tepër trajnerin.
Ky i fundit ua ka bërë të qartë lojtarëve se nuk do të pranojë më një paraqitje të tillë kaq pasive dhe pa agresivitet. Zikaltrit nuk mund të nënvlerësojnë asnjë kundërshtar dhe gabimet e ndeshjes së fundit nuk duhen përsëritur më. Koha nuk pret dhe në fundjavë është derbi i zjarrtë kundër Milanit.
Të shtunën në mbrëmje qyteti i modës do të ndahet në dysh dhe të dy skuadrat do të tentojnë fitoren. Për të siguruar tre pikë speciale, për të bërë krenarë tifozët dhe për të dominuar përballë “kushërinjve” të urryer. Tek Interi e kanë të qartë çfarë duhet të bëjnë. Ekipi duhet të rikthehet të luftojë, të japë gjithçka dhe të vazhdojë kryesimin e Serie A. Përndryshe, të gjithë do të përballen me tërbimin e Antonio Contes, i cili është i fokusuar totalisht dhe dëshiron të triumfojë e të provojë emocionet e fitores në derbin e Milanos. /abcnews.al