Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç deklaroi se vendimi i Gjykatës së Lartë në Kraljevë për lirimin e 3 policëve të Kosovës, është vendim gjyqësor dhe jo politik.
Petkoviç u shpreh se Serbia do të luftojë për të gjithë serbët e arrestuar në Kosovë, shkruan Tanjug.
Petkoviç shtoi se procesi gjyqësor vazhdon, duke pasur parasysh se tre “forcat speciale të Kurtit” akuzohen për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve dhe lëndëve shpërthyese në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Serbisë.
“Ne këtu kemi një vendim gjykate, pavarësisht nëse jemi të kënaqur apo jo, Serbia është shtet ligjor dhe këtu duhet të respektohen vendimet e gjykatave, për dallim nga Prishtina ku nuk ka gjykatë, nuk ka gjykatës, as prokurori, por të gjitha. Vendimet i marrin Kurti dhe Sveçla, të cilët arrestojnë serbët me lista, paraqesin prova inekzistente dhe gjithçka që është në kundërshtim me qasjen që mbizotëron në Serbinë qendrore”, theksoi ai./abcnews.al