Katastrofë e Realit, 0-3 ndaj Paris Sg, që nuk kishte Mbapenë, Nejmarin, Kavanin

schedule11:10 - 19 Shtator, 2019

schedule 11:10 - 19 Shtator, 2019

Dyshime të mëdha për të ardhmen e Realit pas katastrofës ndaj Paris Sen Zhermenin. Madrilenët u dukën të dorëzuar në ndeshjen e parë të Championsit.

Problemi nuk ishte vetëm se humbi.

Reali i Madridit padyshim pësoi një krizë të identitetit në “Park dë Prensis” pas katastrofës 0-3 ndaj Paris SG në ndeshjen e tij të parë në Champions.

Titulli i gazetës “Marka” ishte përmbledhja e të gjitha mendimeve të tifozëve madrilenë: Më e keqja e gjithçkaje është ajo që pritet të vijë!

E pra, paska më keq sesa humbja ndaj një rivali që është tallur shpesh se nuk ka “gjak kampion”, dhe që këtë herë i mungonin më të mirët, Kilian Mbape, Nejmar dhe Edinson Kavani.

Kjo do të thotë se në “Bernabeu” tmerrohen për afrimin e sfidave të forta në kampionat (si Barça e Atletiko) dhe në Champions (turet me eleminim).

Zinedin Zidan, “njeriu që nuk e njeh fjalën “e pamundur””, duket si një trajner i zakonshëm, jo si ai që fitoi tri herë radhazi Championsin.

Tibo Kurtua në portë ngjan si një gardian “ordiner” që pëson gola të lehtë, ndërsa Reali të kujton një mekanizëm të prishur së brendshmi, që nuk ka shpirt kolektiv e lojë të përbashkët.

Të tilla komentet e gazetave spanjolle.

“Marka” shkruan sikur po komenton për Shqipërinë: Kështu nuk mund të shkohet në Europë! PSG pa Mbapenë e Nejmarin shkatërron një Real prej kristali!

“AS”: Pa shpirt! PSG mbi Madridin e paaftë që të godasë në portë një herë të vetme! Zidan: Nuk ishim në lartësinë e duhur!

“El Mundo Deportivo”: Madridi nokaut, Atletiko reagon! Një PSG pa Mbapenë, Nejmarin e Kavanin rrëzon të bardhët, që nuk gjuajtën asnjë herë në portë!

“Na mundën në çdo aspekt, – pranoi Zidan, – ishin më mirë se ne në çdo repart, dhe zemërohem më shumë sepse nuk luajtëm me ritmin e duhur, nuk sakrifikuam e nuk luftuam. Kështu nuk mund të fitosh. Nuk është aspak normale të mos krijojmë raste me lojtarë sulmi si Bejl, Zidan apo Hazar”.

Gjithsesi, tashmë është vetë trajneri i vënë në diskutim.

Televizioni amerikan, ESPN, e shtron qartë pyetjen: A është ky, fillimi I fundit për Zidanin?

Nëse në Madrid ka rënë zia, Parisi shkëlqen.

Trajneri Tomas Tuhel fitoi një sfidë krejt personale, sepse nuk pati më të mirët në fushë.

Fituan lojtarët e zgjedhur prej tij si Navas, Mënier, Kimpembe, Bernat, Geje, Sarabia, Ikardi dhe sidomos Di Maria, autor i dy golave.

“Ishte një paraqitje e madhe si skuadër, një fitore e merituar, – tha trajneri gjerman, – ne ishim skuadra më e mirë, ishim të bashkuar dhe kjo ishte gjëja më e rëndësishme për mua. Ne e ndjemë mungesën e yjeve, por kjo na bëri mirë sepse mësuam të fitojmë pa ata. Kaluam momente të vështira pas eleminimit nga Mançester Junajtidit, por projekti ynë vazhdon”.

Mos ndoshta ka ardhur koha që PSG të jetë vërtetë pretendente për të fituar Championsin? /ABC News Albania 24/7