Investimet e huaja/ Ndikimi i kursit të këmbimit, 308 milionë euro për tre muaj

schedule14:40 - 26 Qershor, 2023

schedule 14:40 - 26 Qershor, 2023

Investimet e huaja janë frenuar gjatë tremujorit të parë të vitit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë fluksi i investimeve të huaja direkte arriti në 308 milionë euro në fund të marsit, duke shënuar një rënie të lehtë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Statistikat flasin për një dyfishim të investimeve nga Holanda kundrejt të njëjtit tremujor të vitit 2022 duke arritur në 62 milionë euro, por janë ngadalësuar kundrejt fundit të vitit.

Ndërsa rritje kanë shënuar edhe investimet e huaja nga Italia. E kundërta ka ndodhur me investitorët gjermanë pasi investimet e huaja nga ky shtet rezultojnë 4 herë më të ulëta se një vit më parë.

Sa i takon sektorëve, investimet në industrinë nxjerrëse vijojnë të mbajnë peshën kryesore. Edhe këtë periudhë sollën fluksin më të madh me gati 68 milionë euro për tre muaj, ndjekur nga aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 58 milionë euro si dhe pasuritë e paluajtshme me 49 milionë euro.

Megjithatë, pas hovit që morën në dy vitet e fundit veçanërisht, shifrat flasin për një ngadalësim të ndjeshëm të investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme, me gati 25% më të ulëta se kundrejt të njëjtit tremujor të një viti më parë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!