Arena Kombëtare, gati për Andorrën në 14 Nëntor

schedule21:38 - 18 Shtator, 2019

schedule 21:38 - 18 Shtator, 2019

Arena Kombëtare do të jetë gati përpara ndeshjes ndaj Francës dhe kombëtarja do të luajë aty edhe ndaj Andorrës. Këtë e pohon Arben Dervishaj, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës, që sqaron edhe projektin e tribunës kryesore

Siguria duket e madhe, edhe pse punë shihet që ka plot. “Arena Kombëtare”, sipas Federatës Shqiptare të Futbollit, as nuk diskutohet që do të jetë gati ndaj Francës, madje do të luhet edhe më parë.

Këtë e pohon për ABC News, anëtari i Komitetit Ekzekutiv në Federatë, Arben Dervishaj.

“Ne jemi në momentet e fundit të stadiumi dhe do të realizojmë atë objektiv që kemi, që jo vetëm do lozim me Francën, por do lozim dhe me Andorrën. Pra do të zhvillohet ndeshja me Andorrën në datën 14 Nëntor, ndërsa me Francën e kemi me 17. Pjesa e tribunave është 99% e përfunduar”, tha Dervishaj.

Dervishaj sqaron se fusha, që po përfundon shtrimin, do të jetë gati për të luajtur që në 20 Tetor, por ndeshja e kontrollit, në prani të UEFA-s do të luhet pas 1 Nëntorit. Ai sqaroi edhe polemikat për tribunën kryesore, për të cilën ka akuza se është shumë e vogël.

“Zgjedhja e tribunës ka qenë edhe zgjedhje e projektit. Ne mund ta zgjeronim, por do të shkonte në kurriz të shërbimeve. Nëse do zmadhohej tribuna dhe do zvogëlohej shërbimi, tek VIP-i nuk është vendi, por edhe shërbimi që do ofrojmë. Tribuna VIP në aspektin e të ardhurave ofron 40% të të ardhurave të stadiumit”, tha Dervishaj.

Dakord, kombëtarja do të luajë ndaj Andorrës e Francës, por a do të kenë fuqi financiare klubet të paguajnë për të luajtur në Arenë?

“Kosto për mirëmbajtje është goxha e madhe. Vlera që ka vënë Federata në Shkodër dhe Elbasan nuk është se është e papërballueshme, por vlera në Elbasan barazohet me kostot. Klubet do paguajnë një tarifë. Të ardhurat në këtë stadium do të jenë më të mëdha sepse biletat do të jenë më të shtrenjta sepse afrohen më tepër shërbime”, tha Dervishaj./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!