Presidenti Donald Trump ka zgjedhur këshilltarin e ri për sigurinë kombëtare. Bëhet fjalë për Robert O’Brien, i cili do të jetë këshilltari i katërt në këtë post gjatë mandatit të parë të presidencës së Trump.
Presidenti Donald Trump ka emëruar të mërkurën këshilltarin e ri për sigurinë kombëtare, që do të zëvendësojë John Bolton, i cili u shkarkua javën e kaluar. Robert O’Brien, që ka shërbyer si i dërguar i posaçëm për rastet e pengjeve nga Departamenti i Shtetit, është zgjedhur për këtë detyrë.
O’Brien do të jetë këshilltari i katërt i Trump për sigurinë kombëtare gjatë presidencës së tij. Më parë ai ka shërbyer edhe në administratat e presidentëve George Ë. Bush dhe Barack Obama.
O’Brien ka qenë edhe major në ushtrinë amerikane dhe në vitin 2005 presidenti Bush e caktoi përfaqësues në asamblenë e përgjithshme të OKB-së. Këtu ai punoi përkrah zotit Bolton, që asokohe ishte ambasador.
“Kam punuar për një kohë të gjatë me Robert. Ai do të bëjë një punë të mirë”, tha Trump në profilin e tij në Twitter duke njoftuar emërimin e O’Brien.
O’Brien vjen në këtë detyrë pas John Bolton, Herbert McMaster dhe Michael Flin. Posti në fjalë nuk kërkon një konfirmim nga Kongresi. Gjatë kohës që Departamenti i Shtetit drejtohej nga Kondoleza Rajs dhe më pas nga Hillari Klinton, ai ka shërbyer edhe si kryetar i komisionit për reformën në drejtësi në Afganistan.
Ndërsa në cilësinë e të dërguarit për rastet e pengjeve, O’Brien ka punuar si ndërmjetës mes familjeve të pengjeve amerikane në zonat e luftës.
/ABC News Albania 24/7