Në një intervistë për Zërin e Amerikës Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar shprehu edhe një here nevojën për uljen e tensioneve mes Prishtinës dhe Beogradit në mënyrë që situata të mos përshkallëzohet. Escobar deklaroi se nuk beson që të ketë një takim mes Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit Serb Aleksandër Vuçiç këtë javë në Bruksel.
“Eshtë tepër herët për të vendosur nëse takimi do të bëhet këtë javë. Kam përshtypjen që nuk do të bëhet, por duhet të vazhdojmë të shpresojmë për një takim të nivelit të lartë sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi Escobar.
I pyetur mbi vendimet e Kryeministrit të Kosovës për të mos dëgjuar partnerët ndërkombëtar dhe se çfarë do të ndodh nëse Albin Kurti vijon në të njëjtin kurs, Gabries Escobar u shpreh se kjo nuk është një çështje SHBA-Kurti.
“Kjo nuk është një çështje SHBA-Kurti. Këtu është i gjithë komuniteti transatlantik që po i thotë qeverisë së Kosovës se dëshirojmë të bashkëpunojnë me qeverinë, por ne nuk mund të respektojmë vendime të njëanshme që krijojnë tension në një mënyrë të panevojshme, të shmangshme dhe të parashikueshme. Kjo është e gjitha çfarë po kërkojmë.”, theksoi ai.
Emisari I Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundërshtoi propozimin e Albin Kurtit mbi themelimin e Asociacionit duke thënë se aktualisht në tryezë janë modele që nuk cënojnë Kushtetutën e Kosovës.
“Albin Kurti nuk duhet të presë më gjatë për themelimin e Asociacionit. Qëndrimi ynë është se duhet të jetë një model evropian. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian u ka dhënë 16 lloje të ndryshme modelesh evropiane, që do të funksiononin për Kosovën dhe qe nuk cenojne kushtetuten e saj”, shtoi ai.
Emisari I Shteteve të Bashkuara ripërsëriti deklaratën e tij të një dite më pare se gjithçka që është bërë në 15 vitet e fundit ka qenë në favor të Kosovës dhe jo të Serbisë.