Sipas të dhënave doganore të Pekinit të publikuara të martën, muajin e kaluar importi i naftës ruse nga Kina arriti nivelin më të lartë që nga agresioni i Moskës kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022 .
Kina importoi 9.71 milionë tonë naftë nga Rusia në maj, sipas të dhënave të detajuara doganore, nga 5.4 milionë tonë në shkurt të vitit 2022 dhe 6.3 milionë në muajin mars, shkruan VOA.
Shifrat tregojnë se pothuajse janë dyfishuar importet e naftës ruse nga Kina që nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës. Të dhënat janë në përputhje me shifrat tregtare të publikuara këtë muaj, që tregojnë se tregtia e Kinës me Rusinë u rrit në nivele të papara që nga shkurti i vitit 2022.
Muajin e kaluar tregtia midis dy vendeve ishte 20.5 miliardë dollarë, sipas të dhënave nga Pekini, ndërsa importet kineze nga Rusia arritën vlerën prej 11.3 miliardë dollarësh.
Kina është partneri më i madh tregtar i Rusisë. Sipas të dhënave doganore të Pekinit, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve arritën një rekord prej 190 miliardë dollarësh vitin e kaluar.
Gjatë një takimi në muajin mars, Presidenti kinez Xi Jinping dhe udhëheqësi rus Vladimir Putin u zotuan të rrisin tregtinë në 200 miliardë dollarë në vitin 2023, ndërsa përshëndetën partneritetin e tyre “pa kufij”. Dërgesat energjitike ruse drejt Kinës pritet të rriten me 40% këtë vit, tha muajin e kaluar Zëvendëskryeministri Alexander Novak.
Pekini thotë se është palë neutrale në luftën e Ukrainës, por është kritikuar nga vendet perëndimore për refuzimin për të dënuar Moskën dhe për partneritetin e saj të ngushtë strategjik me Rusinë.