Blendi Teta do të qëndrojë në burg nën akuzën e moskallëzimit të krimit, lidhur me vrasjen e ish-policit Santiago Malko. 39-vjeçari i ka mohuar akuzat para gjykatës dhe është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë.
Organi i akuzës shprehet se disponon prova se Teta ka qenë në vendngjarje pak përpara se të kryhej atentati.
Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Blendi Tetën, i dyshuar për “moskallezim krimi” për vrasjen e Santiago Malkos.
Gjatë zhvillimit të seancës Teta ka deklaruar para Gjyqtarit Kastriot Gramshi se natën e atentatit ka qenë në një lokal në zonën e Freskut për darkë me disa persona.
Ata janë ngritur nga lokali duke thënë se kishin punë. 39 vjeçari është shprehur i gatshëm të bashkëpunoj dhe nuk ka pranuar përfshirjen në këtë ngjarje.
Teta mohoi të kishte dijeni për atë që do të ndodhte dhe për atentatin që ju bë personit në makinën BMVX5. Blendi Teta ka deklaruar se për vrasjen e ka marrë vesh nga televizori pasi ai ishte larguar dhe makinën ja kishte lënë shtetasve L dhe E.D.
Prokurori Naim Tota ka relatuar në seancë se makina tip “Skoda” nga e cila ka zbritur Bendi Teta është filmuar nga kamerat e sigurisë pranë vendit të ngjarjes.
Por kjo makinë rezulton të jetë në pronësi të bashkëjetueses së Tetës.
Prokurori Tota thotë gjithashtu se Teta është filmuar duke pirë cigare jashtë makinës dhe më pas është larguar përpara se të bëhej atentati.
Gjithashtu përfshirja e Blendi Tetës, sipas prokurorisë, është e faktuar edhe nga përgjimet e bisedave telefonike që ky i fundit ka kryer me bashkëjetuesen e tij pas atentatit të 26 vjeçarit Malko.
Në përgjim sipas prokurorit, Teta i shpreh shqetësimin bashkëjetueses duke i thënë se mund ta akuzojnë për vrasje.
Ish polici Santiago Malko u ekzekutua gjatë një atentati të bërë mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e Oxhakut në kryeqytet.
Pak orë pas vrasjes në fshatin Ferraj u gjet e djegur një makinë tip “benz” brenda së cilës u gjetën dy armë zjarri të tipit automatik të cilat dyshohet se janë përdorur për të kryer ekzekutimit e 26 vjeçarit./ABC News Albania 24/7