Socialistët nxisin Gardën e Republikës, që të ngrejë padi ndaj deputetëve opozitarë, të cilët penguan votimin gjatë seancës së fundit parlamentare. Numri dy i PS-së, Taulant Balla, pohoi se juristët e kësaj force politike po e shqyrtojnë edhe vetë këtë mundësi.
Kreu i grupit parlamentar socialist kërkoi mbledhjen e Byrosë së Kuvendit, për të shqyrtuar situatën që u krijua në seancën plenare gjatë zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme.
Numri dy i PS-së sqaroi se pengimi i votimit përbën vepër penale që dënohet deri me burg, pasi konsiderohet si mos lejim i ushtrimit të funksionit publik. Në këtë sens, Taulant Balla kishte një mesazh të veçantë për kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së tha se juristët e kësaj force politike po shqyrtojnë mundësinë e padisë, por u duk se nxiti më shumë Gardën e Republikës në këtë drejtim, si institucioni që ka për detyrë garantimin e rendit dhe qetësisë në sallën e Parlamentit.
Duke u rikujtuar demokratëve se kanë bojkotuar për gati 6 muaj Kuvendin kur një deputet socialist goditi një deputet të PD-së, Taulant Balla theksoi se priste një ndjesë publike nga të dyja forcat e opozitës për sjelljen e tyre gjatë seancës plenare të Parlamentit./abcnews.al