Barcelona duket se ka gjetur një hero të ri në vend të Lionel Mesit. Edhe pse argjentinasi ishte i dëmtuar, katalanasit fituan falë adoleshentit Ansu Fati.
Mbanin zi për diçka tjetër, por u duk se e mbanin për mungesën e kapitenit.
Lionel Mesi ishte sërish i dëmtuar, por ndaj Valencias, Barcelona gjeti një hero tjetër.
Ansu Fati, 16 vjeç, shkëlqeu si askush përpara tij në fitoren 5-2 në ligën spanjolle, sukses që e mban skuadrën katalanase pranë kreut të renditjes.
Adoleshenti i lindur në Afrikë, në Guinea Bisau, shënoi pas vetëm 111 sekondash, duke realizuar golin e tij të dytë në La Liga.
Jo vetëm kaq, por në minutën e 7-të, Fati shërbeu për Frenki De Jongun që thelloi në 2-0 epërsinë e vendasve, duke u bërë lojtari më i ri në kampionat që shënon dhe jep asist në një ndeshje të vetme.
Mesi ishte i pranishëm në stadium, dhe tepër i lumtur, ndërsa “Kamp Nou” nuk kishte ndjerë emocione kaq të forta që nga viti 2004, kur debutoi dhe shënoi adoleshenti i atëhershëm, pikërisht Lionel Mesi.
Mediat katalanase e mbuluan Fatiun me lavdërime.
“Ansu, nga cili planet vjen, – ishte titulli i gazetës “Sport”, – Fati bëri “Kamp Noun” që të bjerë në dashuri me të”.
“I mahniti të gjithë, – shkruan “El Mundo Deportivo”, – talenti 16-vjeçar luajti një tjetër ndeshje të madhe dhe doli mes ovacioneve nga stadiumi”.
Fati u bë debutuesi më I ri për Barcelonën në kampionat, kur hyri në fushë në ndeshjen ndaj Betisit, ndërsa shënoi golin e parë në La Liga në ndeshjen e barazuar 2-2 në fushën e Osasunës. /ABC News Albania 24/7