Autoriteti i Konkurrencës i SHBA (FTC) i kërkoi një gjykate federale në San Francisko të hënën që të pezullojë përkohësisht blerjen e Activision Blizzard nga Microsoft prej 68.7 miliardë dollarësh, sipas AFP.
Komisioni Evropian miratoi muajin e kaluar blerjen, e cila do ta bëjë gjigantin e IT furnizuesin e tretë më të madh në botë për video lojëra, ndërsa autoriteti britanik i konkurrencës vuri veton ndaj tij në emër të mbrojtjes së konkurrencës në tregun e lojërave të paprekshme në internet ose cloud.
FTC kishte filluar tashmë procedurat administrative për të përcaktuar nëse dhe çfarë rreziqesh paraqet blerja, dhe seanca e parë pritet në fillim të gushtit, por raportet e shtypit “tregojnë se (Microsoft dhe Activision) po konsiderojnë seriozisht finalizimin e marrëveshjes”.
“Lëvizja e propozuar do të lejojë Microsoft të vazhdojë të marrë nën kontroll video lojëra me vlerë të lartë,” argumenton FTC.
“Duke kontrolluar përmbajtjen e Activision, Microsoft mund të kishte interes për të kufizuar atë përmbajtje ose për të ulur cilësinë e saj në një mënyrë që do të dëmtonte konkurrencën për sa i përket cilësisë, çmimit dhe inovacionit,” sipas autoritetit federal të pavarur.
Nga ana e saj, Microsoft tha se “e mirëpret këtë mundësi” për të paraqitur argumentet e veta para një gjyqtari, sipas reagimit zyrtar të Brad Smith, presidenti i grupit që prodhon Xbox.
“Ne besojmë se përshpejtimi i procesit ligjor në SHBA përfundimisht do të sjellë më shumë zgjedhje dhe më shumë konkurrencë në treg,” shtoi ai.
Activision Blizzard zotëron video lojëra fenomenale (të tilla si Call of Duty, Candy Crash, World of Warcraft, Diablo dhe Overwatch).
“Nëse do të finalizohej, kjo blerje do të ishte më e rëndësishmja në historinë e industrisë së lojërave video dhe në historinë e Microsoft”, thotë FTC.