Në Gjykatën Speciale ka filluar të dëgjohet dëshmitari i tetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai ka folur për një periudhë kur ai pretendon se në fshatin Bajgorë ka pasur një qendër ndalimi në të cilën sipas tij mbaheshin civilë.
Në gjykatoren ku të pranishëm janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, dëshmitari i mbrojtur i ZPS-së e ka filluar dëshminë e tij duke folur për disa stërvitje të UÇK-së që sipas tij janë mbajtur në fshatin Bajgorë.
Ai është duke u përgjigjur në pyetjet e Prokurorisë, dhe sipas tij në atë kohë shkolla ka qenë bazë që i takonte Zonës Operative të Llapit.
Sipas dëshmitarit, aty ishte i vendosur edhe shtabi i kësaj zone.
Dëshmitari i tetë i cili mban kodin 4323 ka thënë se kishin trajnerë të ndryshëm, në varësi prej ushtrimeve.
Ai nuk i ka kujtuar emrat e tyre por sipas tij komandant ishte personi i njohur si Remi.
Dëshmitari ka thënë se ishte në dijeni për ekzistencën e Zonës Operative të Llapit, edhe para fillimit të stërvitjeve.
Ai ka thënë se ka marrë pjesë në ato stërvitje që sipas tij do të duhej të zgjasnin dy javë por janë ndërprerë për pesë apo shtatë ditë.
Pas kësaj, me kërkesë të ZPS-së, një pjesë e seancës ka vijuar e mbyllur për publikun ndërsa me hapjen e saj prokurorja Silvia D’Ascoli ka bërë të ditur se ishin duke folur për një qendër të ndalimit në Bajgorë.
“Nuk ka qenë një objekt i fshehur për publikun, ka qenë një objekt i ditur për publikun, në rrugën ku ka qenë objekti, me sa e kujtoj ka qenë e qasshme prej rrugës kryesore”, ka thënë dëshmitari.
Pas kësaj, seanca është mbyllur për publikun.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
/KosovaPress/