Autoritetet në Shtetet e Bashkuara do të publikojnë emrin e një tjetër të dyshuari të lidhur me sulmet e 11 shtatorit 2001. Bëhet fjalë për një shtetas saudit që dyshohet se ka luajtur një rol kyç në atentate, por identiteti i të cilit është mbajtur i fshehtë.
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka deklaruar se do të zbulojë një emër kyç të lidhur me sulmet e 11 shtatorit, të kërkuar nga familjarët e viktimave që kanë paditur Arabinë Saudite për ngjarjet e vitit 2001. Në një njoftim për shtyp thuhet se informacioni do t’u jepet avokatëve që përfaqësojnë familijarët e viktimave dhe nuk dihet nëse identiteti i personit në fjalë do të bëhet publik. 15 nga 19 miliatëntët e Al Kaedës që organizuan sulmet ishin sauditë. Në vitin 2004, komisioni për ngjarjet e 11 shtatorit i ngritur nga Kongresi amerikan nuk gjeti prova se qeveria saudite kishte financuar Al Kaedën. Por një raport i vitit 2012 i Byrosë Federale të Hetimeve thoshte se agjencia po hetonte dy shtetas sauditë që kishin ndihmuar atentatorët. Njëri prej tyre është Fahad al-Thumairi, ish-zyrtar i konsullatës saudite; ndërsa tjetri Ahmed al-Bajumi, ish-oficer i shërbimeve inteligjente të mbretërisë. Raporti i FBI-së, që u publikua në formë të redaktuar, citonte gjithashtu një person të tretë, emri i të cilit nuk u publikua. Familjet e viktimave që kanë paditur qeverinë saudite kanë kërkuar me insistim publikimin e identitetit të personit në fjalë. Më 11 shtator 2001, atentatorët përplasën avionët e marrë peng ndaj Kullave Binjake në Nju Jork dhe Pentagonit në Uashington. Ndërkohë, një avion tjetër i marrë peng u rrëzua në Pensilvani pas rebelimit të pasagjerëve. /ABC News Albania 24/7