Kremlini pretendoi këtë javë se kishte shkatërruar 8 tanke Leopard që Gjermania i ka dhënë ë Ukrainës dhe publikoi një video që pretendon goditjen dhe shkatërrimin e një tanku me raketë. Por nga analiza e videos, ekspertët thonë se objekti i goditur është një zetor dhe jo tank.
Ambasada ruse në Uashington njoftoi të hënën se forcat e saj kishin “asgjësuar” tetë tanke Leopard të prodhimit gjerman, ndër armët më të avancuara dhe më të fuqishme që vendet e NATO-s i kanë ofruar Ukrainës.
Një ditë më pas, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë postoi një video në rrjetin Telegram, që sipas saj tregonte pamje të shkatërrimit të një tanku Leopard.
“Do të ishte një lajm i bujshëm nëse Rusia vërtet do të kishte shkatërruar tetë tanke leopard. Por videoja e postuar nga Ministria e Mbrojtjes ruse nuk tregon goditjen e tankeve, por besojmë se godet një traktor”, thotë Michael Biesecker me agjencinë e lajmeve Associated Press.
Videoja u shfaq gjerësisht në rrjetet e kontrolluara nga Kremlini.
Pamjet tregojnë disa silueta të zeza automjetesh, përpara se një raketë ruse të godasë dhe shkatërrojë një prej tyre, ndërsa dëgjohet një zë në rusisht që thotë “objektivi u godit direkt”.
“Imazhi që shfaqet në video ka katër rrota dhe është i ngritur nga toka. Tanku Leopard është njësh me tokën, lëviz me zinxhirrë dhe jo rrota”, thotë Michael Biesecker me agjencinë e lajmeve Associated Press.
Disa ekspertë armësh dhe blogerë ushtarakë hodhën dyshime mbi pretendimet ruse se helikopteri kishte goditur një tank.
“Blogerë ushtarakë rusë kanë komentuar se objektet në video nuk janë tanke Leopard”, thotë Valentin Châtelet me Laboratorin Kërkimor Dixhital të Mjekësisë Ligjore të Këshillit të Atlantikut.
Analiza e videos nga Associated Press tregon se në fushë ndodheshin disa makineri bujqësore, ku të bie në sy një zetor për spërkatje dhe dy autokombajna.
Dy ekspertë ushtarakë i thanë agjencisë Associated Press se automjeti i goditur nga raketa ruse nuk ishte tank Leopard, apo ndonjë automjet i blinduar.
Gjermania njoftoi në janar se do t’i jepte Ukrainës 18 tanke Leopard. Kievi shpreson që të marrë vitin e ardhshëm rreth 100 tanke nga vende të ndryshme të NATO-s./VOA