Nga Hergi Llupi
Tetëmbëdhjetë vjet pas mrekullisë së Stambollit, atëherë kur Liverpool dhe Milan u përballën për finalen e madhe të Champions League, një finale e cila i dhuroi të gjitha.
Ditën e nesërme, Stambolli do të përjetojë të njëjtën gjë, por me dy skuadra të ndryshme. Manchester City dhe Inter janë pak më shumë se 24 orë larg ndezjes së motorëve dhe emocioneve të mëdha që do të dhurojë stadiumi “Ataturk” dhe himni final i UEFA Champions League. Dy gjigantët kontinental përplasen për herë të parë së bashku zyrtarisht dhe të shtunën mbrëma njëri prej tyre do të kompletojë tripletën sezonale.
City eliminoi Real Madrid në gjysmëfinale, me një paraqitje fantastike nga ekipi i Pep Guardiola të cilët vunë në hije “Galaktikët” e Ancelottit. Nga ana tjetër, zikaltërit e Inzaghit mposhtën në të dyja sfidat rivalët e qytetit, Milanin, në Euroderbi.
Manchester City dhe Pep Guardiola e kërkojnë me patjetër trofeun e tyre të parë europian. Në vitin 2021 “qytetarët” u afruan shumë pranë trofeut të Champions League, por rivalët e tyre anglezë të Chelsea fituan falë golit të Havertz, duke i prerë krahët Guardiolës dhe klubit të City. 2 sezone më pas, Manchester City ndodhet përsëri në finale të Champions League, por këtë herë edhe më i fortë. Me një ekip jashtëzakonisht të frikshëm, shanset janë të larta që ata të mposhtin Interin në stadiumin olimpik të Stambollit dhe të ngrenë në qiell trofeun më të bukur e më të rëndësishëm për klube.
Po të marrësh një formë të përgjithshme të të dyjave skuadrave në 10 ndeshjet e fundit, çuditërisht Interi është më në formë. Në 10 përballjet e fundit në të gjitha kompeticionet, City ka arritur të marrë 7 fitore, 2 barazime dhe një humbje. Nga ana tjetër, Interi në 10 përballjet e funditnë të gjitha garat, ka arritur të grumbullojë 9 fitore dhe 1 humbje.
Të dyja skuadrat kanë taktika, strategji dhe mentalitet ndryshe nga njëra tjetra. City është më sulmues, më teknik dhe më i shpejtë se Interi. Zikaltërit nga ana tjetër janë më kompakt, solid, luftarak, nuk dorëzohen kollaj dhe kanë mbrojtje dhe kundërsulme të forta.
E gjithë vëmendja do të jetë te dueli Haaland ndaj Lautaros. Bomberi norvegjez nuk ka shumë nevojë për prezantim, pasi këtë sezon emri i tij ka qenë më i lakuari për sa i përketë rekordeve personale që ka arritur të bëjë me fanellën e Cityt. Haaland është një makineri e vërtetë golash, një terminator siç e quajnë. Nga ana tjetër, një dem i tërbuar në radhët e zikaltërve, me Lautaro Martinez i cili ka përjetuar sezonin e tij më të mirë të karrierës deri më tani. Argjentinasi fitoi Kupën e Botës me kombëtaren e tij duke mposhtur në finalen e Katarit Francën, fitoi Superkupën dhe Kupën e Italisë, gola të shumtë të cilët e ndihmuan Interin të rikthehej në rezultatet pozitive javët e fundit të kampionatit, si dhe shiriti i kapitenit në krah duke sikur i ka dhënë më shumë besim, ku nga sezoni tjetër pritet të jetë zyrtarisht mbajtësi i parë i atij shiriti.
Formacionet e mundshme:
Tekniku spanjoll pritet të hedhë në fushë nga minuta e parë Ederson në portë, Walker, Dias dhe Akanji në mbrojtje. Një mesfushë sikur një “rrjetë merimange” do të shpaloset për 90 minuta, ku Stones, Rodri, De Bruyne, Gundogan, Bernardo Silva dhe Grealish do të jenë të gjithë në dispozicon të “bishës” Haaland.
Inzaghi nga ana tjetër pikëpyetje ka vetëm në repartin e sulmit, se cili do të jetë partneri i Lautaros në këtë finale. Onana do të jetë në portë, ndërsa Bastoni, Acerbi dhe Darmian në mbrojtje. Mesfusha qendrore do të përbëhet nga Calhanoglu, Brozovic dhe Barella, ndërsa krahët me Dimarco dhe Dumfries. Sulmi deri mëtani pretendohet të jetë Lautaro-Dzeko, por në minutën e fundit mund të ketë një ndryshim me Lautaro-Lukaku, këtë do ta caktojë Inzaghi para sfidës./h.ll/abcnews.al