Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se në vitin 2020 kjo parti e kishte prishur koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje për të evituar konfrontimin e Kosovës me shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, kjo i kishte kushtuar partisë me humbjen e votave.
“LDK në vitin 2020 prishi koalicionin me VV-në për të evituar konfrontimin e Kosovës me SHBA-të. E pagoi çmimin më të shtrenjtë me rreth 100 mijë vota! Por në atë kohë VV-në e përkrahnin diplomatët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian e…. E sollën vet në pushtet së bashku me analfabetët funksional”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se çmimin e prishjes së relacioneve me ShBA-të dhe Bashkimin Evropian nuk do ta paguajnë kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.
“Sot, frikësohem se çmimin e prishjes së relacioneve me SHBA-të dhe BE-në, nuk do ta paguajë VV me Kurtin dhe Osmanin por do ta paguajë e gjithë Kosova. Ngushëllimi i vetëm më mbetet se Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte vlerësuar drejtë rrezikun dhe vepruam mirë në interes të Kosovës”, ka shkruar Mustafa.
/KosovaPress/