Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski i ka ofruar partisë opozitare, VMRO-DPMNE, pjesëmarrjen në Qeveri nëse kjo parti e mbështet nismën për ndryshimin e Kushtetutës.
Pas takimit të mërkurën me kryetarin e VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, Kovaçevski tha se pas miratimit të fazës së parë të ndryshimit të Kushtetutës, do të formohej një qeveri e gjerë, me pjesëmarrjen edhe të opozitës. Sipas Kovaçevskit, opozitës do t’i takonin pesë ministri, me të cilat aktualisht udhëheqë partia që ai drejton, Lidhja Social Demokrate, shkruan REL.
Kushtetuta duhet të ndryshohet në pjesën e preambulës, për përfshirjen e pakicës bullgare në të, si popull shtetformues që është kusht për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut, bazuar në marrëveshjen me Sofjen për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe dallimet historike.
Kryeministri Kovaçevski tha se mandati i Qeverisë së zgjeruar do të vazhdonte deri në rrumbullakimin e ndryshimeve kushtetuese, pas çka Qeveria e njëjtë do të organizonte zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Unë propozova që të votojmë hapjen e Kushtetutës, të miratojmë ndryshimet e nevojshme dhe menjëherë pas votimit të fundit të shkojmë në zgjedhje. Por, gjatë periudhës së kaluar kam kuptuar se për Mickoskin është e rëndësishme që VMRO-DPMNE të jetë pjesë e Qeverisë. Për të dëshmuar se nuk jemi të interesuar për pikë politike, por për të ardhmen e vendit, propozova që menjëherë pasi të votojmë për hapjen e Kushtetutës, VMRO-DPMNE të hyjë në Qeveri”, deklaroi Kovaçevski.
Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se ka pranuar që kjo parti të jetë pjesë e Qeverisë, por me kusht që ndryshimet kushtetuese të miratohen vetëm pasi të kenë përfunduar bisedimet për anëtarësim në BE dhe të gjitha shtetet anëtare të unionit të kenë ratifikuar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut.
“VMRO DPMNE-ja është e gatshme të marrë pjesë në një Qeveri të tillë, kurse ndryshimet e mundshme kushtetuese të vlejnë ditën e ratifikimit të protokollit për anëtarësim të Maqedonisë në BE”, tha Mickoski.