Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në shenjë falenderimi për marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin e ngushtë me SHBA ka nderuar me Medaljen e Mirënjohjes Zyrën e Atasheut Ushtarak të SHBA në Tiranë dhe Zyrën e Bashkëpunimit Ushtarak në Tiranë. Në ceremoni ka marrë pjesë edhe e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri, Leyla Moses-Ones e cila ka theksuar se vetëm për pajisje ushtarake që ndihmojnë në përballimin e emergjencave civile SHBA ka dhënë 1 milionë dollarë për Shqipërinë.
Shtetet e Bashkuara edhe në kohë paqe nuk e kanë kursyer mbështetjen dhe financimet për Forcat e Armatosura në Shqipëri. E ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri, Leyla Moses-Ones dha shifrat për mbështetjen amerikane me pajisje ushtarake dhe ndihma humanitare.
“Kjo listë e gjatë përfshin gjithashtu pajisje që kushtojnë më shumë se 1 milionë dollarë për përgjigje ndaj mbytjeve dhe më shumë se 800 milionë dollarë ndihmë humanitare çdo vit. Fuqia e marrëdhënies sonë dypalëshe është e pamatshme dhe e pathyeshme falë jush”, tha Ones.
Deklaratat e saj, Ones i bëri gjatë ceremonisë që Ministria e Mbrojtjes organizoi për nderimin me Medaljen e Mirënjohjes Zyrën e Atasheut Ushtarak të SHBA në Tiranë dhe Zyrën e Bashkëpunimit Ushtarak në Tiranë. Në fjalën e saj, Xhaçka nuk i kurseu falenderimet për atë që e konsideroi si zhvillimin më të rëndësishëm për mbrojtjen në rajon.
“Nuk mund të lë pa përmendur zhvillimin më të rëndësishëm që ka ndodhur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë rajonin për mbrojtjen që është padyshim vendimi për të ndërtuar një bazë ajrore të NATO-s në Kuçovë, i cili do të kishte qenë i pamundur pa mbështetjen e aleatëve amerikanë”, tha Xhaçka.
Falenderimin e saj, Xhaçka nuk e kurseu edhe në rrafshin historik për gjithë ndihmën e dhënë nga SHBA për Shqipërinë.
“Shqipëri, shqiptarët në mbarë rajonin janë me fat ë kanë një aleat fisnik dhe bujar si SHBA që na janë gjendur në momente të vështira. Ne i kemi Amerikës dhe qytetarëve amerikanë një borxh shumë të madh”, tha Xhaçka.
Shtetet e Bashkuara shprehën vlerësim për përpjekjet e Shqipërisë në funksion të zotimit të bërë në samitin e Uellsit për arritjen në 2% të PBB në NATO./ABC News Albania 24/7