Ndeshjen Shqipëri-Islandë do ta shikojë edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit thotë që nuk e kishte në plan të shkonte sot në “Elbasan Arena”, por e sheh si detyrim ndaj kombëtares pas shkëlqimit në Europianin e Francës. Ai u bën thirrje tifozëve që të bashkohen në këtë moment të vështirë të skuadrës.
“Shpesh tifozët kërkojnë vetëm fitore, por topi është i rrumbullakët. E di që shumë tifozë janë mërzitur nga humbja me Francën, kampionen e botës, por mos harroni si humbi Brazili me Gjermaninë 1-7. Le të mësojmë dhe nga tifozët e Kosovës, që pikërisht kur ekipi është në disavantazh, ndizen më shumë në përkrahjen e ekipit. Sot në “Elbasan Arena” me Kuqezinjtë”, shkruan Meta në Facebook.
Kombëtarja e futbollit pësoi një humbje të thellë me kampionët e botës, 4-1. Kjo ndeshje zhgënjeu shumë tifozët pasi shpresat për një kualifikim për në Euro 2020 pothuajse janë shuar.
Shqipëria ndodhet në vendin e katërt në Grupin H me 6 pikë. Kuqezinjtë janë pas Islandës, Turqisë dhe Francës të cilat kanë nga 12 pikë. “Gjelat” janë në krye të tabelës së klasifikimit në grupin H./abcnews.al

