Analisti Mentor Nazarko, në një intervistë për emisionin “Lufta dhe Paqja” me gazetarin Artur Zheji, tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka filluar të tërhiqet nga veprimet në veri të vendit pas ndëshkimit ndërkombëtar dhe ka lënë hapësirë për të mbajtur zgjedhjet e parakohshme.
“Besoj se ka filluar të tërhiqet. Kurti ka lënë hapësirë për zgjedhjet e parakohshme. Së dyti kryetarët janë tërhequr dhe me siguri ka ndodhur edhe një lloj reduktimi i pranisë policore. Por Kosova nuk është duke i bërë këto lëshime kaq të hapur duke u përpjekur për të ruajtur dinjitetin apo për të treguar një koherencë në raport me sjelljen e pandryshueshme që ka demonstruar.“, tha ai.
Sipas tij, Kurti duhet të vlerësojë se çfarë fitoi dhe humbi me veprimet e fundit në veri.
“U desh Blinken, numri dy i shtetit më të fuqishëm të botës, që të reagonte në mënyrë dënuese për zinxhirin e akteve që pasoi përpjekjet e Kosovës për të çuar kryetarët në komuna. Ishte akti fillestar që shënoi përshkallëzimin e tensionit në veri. Ajo që po thotë Perëndimi njëzëri është që zinxhiri i ngjarjeve dramatike filloi me këtë vendim të pakonsultuar të Kosovës. Kosova duhet të vlerësojë se çfarë fitoi dhe çfarë humbi me këtë veprim që shkaktoi këtë zinxhir ngjarjesh.”, shtoi Nazarko.
Nazarko komentoi edhe vendimin e presidentit francez, Emmanuel Macron për t’u takuar me presidenten Vjosa Osmani duke shmangur Kurtin. I pyetur nga gazetari Zheji nëse po tentohet për të “ndarë” Osmanin me Kurtin, analisti tha se Macron kërkon t’i tregojë shqiptarëve të Kosovës se po ndëshkojnë Kurtin.
“Qëndrimet e Osmanit kanë qenë paksa më të matura në raportet me atë që u zhvilluan në perëndim. Ajo ka rekomanduar koordinim me faktorin perëndimor. Së dyti, në kushtetutën e Kosovës presidentja ka më shumë fuqi në politikën e jashtme sesa kryeministri. Me këtë veprim, Macron do t’i tregojë popullit të Kosovës se nuk është se Perëndimi e ka me krejt Kosovën por me një njeri që nuk po tregohet bashkëpunues me Perëndimin.”, tha Nazarko./abcnews.al